Nga 2008 pagat reale kanë rënë

29/05/2014 00:00

Familjet që kanë si burim kryesor të ardhurat nga puna, pas vitit 2008 janë përballur me kohë të vështira.

Të dhënat e fundit zyrtare, nga Organizata Botërore e Punës, tregojnë se paga reale në Shqipëri ra me 2,1 përqind në katërvjeçarin 2008-2011.

Kjo e bën Shqipërinë një nga tri vendet e vetme në gjithë Europën dhe Azinë, ku standardi i jetesës së punonjësve është përkeqësuar. Dy vendet e tjera janë Kroacia dhe Serbia, ku pagat reale kanë rënë respektivisht me 0,5 dhe 3 përqind, përgjatë periudhës 2008-2011.

Por, të dhëna të tjera tregojnë se, në Shqipëri, tkurrja e pagave ka vazhduar edhe vitet pasardhëse. Sipas INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë, në 2012-n paga reale u ul me 8 përqind, krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të rënies së rrogave në sektorin privat.

Të ardhurat e punëtorëve janë ndrydhur me ritme të thella, edhe pse përgjatë kësaj kohe ekonomia nuk ra asnjëherë në recesion.

Sipas të dhënave zyrtare për vitet 2008-2012, ekonomia shqiptare është rritur në total me 13 përqind. Në kushtet e tkurrjes së pagave, e gjithë kjo rritje ka shkuar tek ata që zotërojnë kapitalin, në formën e fitimeve, qirave apo të ardhurave nga interesi.

Dhe, këta janë të pasurit, të cilët duket se edhe nga kriza kanë nxjerrë përfitime. Ndërsa gjithë të tjerët kanë paguar kostot.

Një përfundim, të cilin e mbështet edhe Banka Botërore. Pak javë më parë, ky institucion deklaroi se 40 përqind e familjeve shqiptare, ato që përbëjnë pjesën më të varfër të vendit, nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike, por kanë përjetuar rënie të të ardhurave vitet e fundit.

Top Channel