AMF cakton vetë pagat e stafit

27/05/2014 00:00

Komisioni i ekonomisë miratoi të martën një ligj që i jep të drejtën Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendosë rrogat dhe shpërblimet e punonjësve pa kufizim nga hierarkia kombëtare e pagave.

Drafti u votua mes debatesh vetëm nga maxhoranca, ndërsa opozita ishte kundër tij. “Ç’është kjo?! Si mund të shpenzojnë para publike pa asnjë kufizim këta? Do t’i dalë rroga kryetarit të AMF-së dy herë sa e presidentit”, protestoi ish-ministri i Financave Ridvan Bode.

Por maxhoranca argumentoi se pavarësia për AMF-në është kërkuar më ngulm nga ndërkombëtarët. “Zoti Bode, kjo është kërkuar me ngulm nga FMN dhe t’i e di shumë mirë këtë”, deklaroi kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

AMF bëhet institucioni i dytë në Shqipëri që fiton të drejtën të shpenzojë para publike për paga pa kufizim ligjor. I pari është Banka e Shqipërisë, një model që ka hapur debate të forta në publik dhe është denoncuar zyrtarisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por, veç pavarërisë financiare një tjetër pikë e debatuar në ligjin e ri për AMF-në ishte edhe ajo që ndërpret mandadet e disa prej antarëve të bordit ekzistues, që për opozitën janë shkarkime politike.

Top Channel