Teknologjia në shërbim të bujqësisë

26/05/2014 00:00

Izraeli vazhdon t’i jetë mirënjohës Shqipërisë, për kontributin historik të dhënë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë mirënjohje, qeveria izraelite synon ta shprehë përmes ndihmës në zhvillimin e një prej sektorëve të saj më të fuqishëm, atë të bujqësisë.

“Izraeli është një vend shumë i vogël, gjysma e të cilit është shkretëtirë. Kemi mungesa në ujë dhe fuqi punëtore. Të rinjtë preferojnë të merren me teknologji informacioni, në vend që të punojnë në fermë. Në anën tjetër, si një vend i rrethuar nga shtete jo miqësore, duhet të sigurohemi që të kemi rezerva ushqimore. E kemi bërë këtë përmes inovacionit, teknologjisë dhe jemi gati ta ndajmë vetëm me miqtë tanë, dhe Shqipëria është e tillë”, tha Yair Shamir, ministrër i Agrikulturës së Izraelit.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se përmirësimi i teknologjisë do t’i shërbejë përmirësimit të bilancit negativ mes importeve dhe eksporteve, duke përmendur këtu rastin e qumështit me aflatoksinë.

“Ndodhemi në një situatë jo shumë premtuese, pasi praktikisht duhet të mbyllim një zinxhir vlerash, të garantojmë që qumështi i prodhuar nga fermerët tanë të jetë i mjaftueshëm në sasi e për këtë kërkohen përmirësime racore, futje të teknologjisë së re dhe njëkohësisht edhe qumësht cilësor. Të prishim atë bilanc negativ që kemi midis qumështit të importuar dhe atij të prodhuar, për të marrë një pozicion, të cilin për disa arsye e ka të tronditur. Ju dini skandalin e qumështit me aflatoksinë”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.

Sektorët, ku investitorët izraelitë janë të interesuar të investojnë, janë perimet, blegtoria, prodhimet e detit, ndërkohë që do të ofrojnë dhe trajnim për fermerët shqiptarë.

Top Channel