Investimet e huaja, Peleshi në Kuvajt

26/05/2014 00:00

Qeveria shqiptare ka paraqitur në Kuvajt një sërë projektesh konkrete për bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e investimeve kuvajtiane në vendin tonë.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në këtë vend, ku është pritur nga kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheik Jaber Al Mubarak Al Hamad Al Sabah.

Numri dy i qeverisë shqiptare i paraqiti kreut të qeverisë kuvajtiane mundësinë për investime publike në Shqipëri, si në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, por edhe në fushat prioritare si turizmi dhe energjia, për të cilat ai garantoi klimën e favorshme që po krijohet në vendin tonë për investimet e huaja.

Me vizitën e kreut të Kuvendit në qershor dhe kryeministrit Rama në vjeshtë, mes qeverisë shqiptare dhe asaj kuvajtiane do të finalizohet marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, memorandumi i mirëkuptimit në shëndetësi, marrëveshja për transportin detar, për bujqësinë por edhe Programi Kulturor 2014-2016.

Top Channel