BB: Rritja ekonomike 2.1%

26/05/2014 00:00

Banka Botërore e ka ruajtur vlerësimin për rritje 2.1 për qind të ekonomisë shqiptare në vitin 2014. Banka vlerëson se reformat e nisura gjatë muajve të fundit nga qeveria për konsolidimin e financave publike dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit do të nxisin ekonominë, duke përshpejtuar rritjen e saj. Megjithatë, sipas ekspertëve, rreziqet rreth këtij skenari bazë janë të larta.

“Ndër rreziqet kryesore do të permëndja materializimin e një rritjeje më të ulët ekonomike në eurozonë, tërheqjen e kapitaleve nga bankat mëmë dhe rrezikun e sektorit energjitik që mund të ketë implikime të mëdha në ekonomi”, deklaroi Hilda Shijaku, ekonomiste e BB për Shqipërinë.

Por rreziku më i madh për rigjallërimin e ekonomisë mbetet sjellja e bankave dhe dalja nga kriza e kredive. “Pikë së pari ne shpresojmë se disa masa të ndërmarra për kreditë me probleme dhe shlyerja e huave të prapambetura do të rigjallërojnë kredinë. Por rreziku mbetet i lartë për shkak të politikës që do ndjekin bankat e huaja”, nënvizoi Shijaku.  Vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen më të ulët në rajon me vetëm 0.44 për qind.

Negociatat mes qeverisë dhe CEZ
BB: Nuk mund të ndërhyjmë, urojmë një pakt sa më të shpejtë

Gjatë prezantimit të raportit ekonomik për Europën juglindore, shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve edhe për një tjetër çështje delikate, që lidhet me dështimin e mundshëm të negociatave mes qeverisë dhe CEZ.

“Duke qenë se kjo është një çështje negocimi dypalëshe mes qeverisë dhe CEZ do të ishte e papërshtatshme që Banka Botërore të komentojë mbi faktin se në cilin kah janë duke shkuar këto negociata. Por ajo që mund të them është se ne mirëpresim dhe do të shpresonim në një zgjidhje me mirëkuptim të përbashkët, që do të akomodonte të dyja palët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mesazhet që do të tejçonte në ambientin e jashtëm”, deklaroi Sayed.

Top Channel