Banka Botërore vlereson se buxheti i Kosovës nuk mund ta mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas vlerësimit të BB-së, Kosova po përballet me një status-quo ekonomike dhe me ngecje prej një kohe të gjatë.

Shkalla e papunësisë verësohet më e larta edhe përtej vendeve rajonale, ndërkohë që mospjesëmarrja në tregun e punës vlerësohet mbi 63%.

Raporti mbi zhvillimet ekonomike në Evropën Jug-lindore vlerëson gjithashtu se evazioni fiskal është rreth 34%, ndërsa të ardhurat pritet të bien.

Theksohet se ka pasur një rritje të lehtë ekonomike, por ky fakt nuk ka ndikuar në krijimin e vendeve të reja të punës, sikurse rritja e eksporteve dhe zvogëlimi i importeve, sidomos për produktet ushqimore. Shpëtimi varet nga remitencat, ndërkohë që kreditë e këqija janë rritur tre herë krahasuar me vitet paraprake.

“Në vitin 2014 rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.5 për qind. Parashikimi që kishim bërë në dhjetor fliste për 4.2 për qind, por për shkak të zhvillimeve të fundit, stanjacionit dhe eksporteve, vlerësimi ka ndryshuar. Eksportet në radhë të parë nuk kanë qenë siç kemi pritur. Vitin e kaluar ato patën 6.8 për qind rritje, ndërsa për tre muajt e parë të këtij viti kemi pasur një rënie prej 2.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, deklaroi Agim Demukaj, ekonomist i BB në Kosovë.

Bazuar në anketën e BB-së dhe raporteve që janë bërë në fund të vitit 2012, papunësia në Kosovë prek mbi 30 për qind të banorëve.

“Papunësia është e lartë, më e larta në rajon, edhe pse kemi shumë probleme me të dhënat pasi anketa e fuqisë punëtore është publikuar në fund të vitit 2012. Ajo llogaritet të jetë në kuotën 31 për qind dhe me pak fjalë, në Kosovë mund të konsiderojmë se papunësia nuk ka rënë kurrë për shkak se nuk është rritur. Kjo ka rezultuar me një varfëri të lartë, edhe pse nuk kemi të dhëna të përditësuara”, nënvizoi Demukaj.

Raporti i Bankës Botërore bazohet në statistikat e Ministrisë së Financave, Doganës së Kosovës, administratës Tatimore dhe Entit të Statistikave të Kosovës.

Top Channel