Rama në Kazakistan për të ftuar investitorët

24/05/2014 00:00

Kazakistani përkufizohet si një republikë me sundim presidencial autoritarist dhe nga kjo pikëpamje nuk është një vend për t’u patur zili. Por Kazakistani është një nga vendet me tokën më të pasur me rezerva natyrore të gazit, naftës, uraniumit, arit dhe diamantëve.

Këto mjaftojnë që Kazakistani të jetë një nga vendet më të lakmuara për bashkëpunim ekonomik. Ky është edhe qëllimi i vizitës zyrtare të kryeministrit Edi rRama në Astana, ku ra në sy edhe prania e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bexhet Pacolli.

Presidenti Nursultan Nazarbayev, i cili e mban këtë detyrë që prej vitit 1991, i konfirmoi kryeministrit Rama se ai do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, bashkë me një grup sipërmarrësish kazakë, të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Presidenti Nazarbayev beson se qeveria e re shqiptare ofron një mundesi të re për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve. Për kryeministrin Rama, falë reformave ekonomike, Shqipëria është e gatshme të mirëpresë investitorët kazakë dhe t’u krijojë atyre lehtësitë e duhura për të investuar në turizëm, infrastrukturë dhe fushën e hidrokarbureve të naftës dhe gazit, ku Kazakistani është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë.

Një bazë bashkëpunimi u vendos që gjatë kësaj vizite në Astana, kur kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kazakistanit, Karim Massimov, pas një takimi kokë më kokë firmosën edhe një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Një nga projektet më të rëndësishme të diskutuara gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Kazakistan ishte ndërtimi i një sistemi hekurudhor modern, që mundëson lidhjen mes porteve shqiptare dhe rrjetit hekurudhor evropian e aziatik. Investitorët kazakë janë sot ndër më të fuqishmit në Europë, me një vëllim investimesh prej 26 miliardë dollarësh.

Top Channel