Bllokohet përmbarimi privat

24/05/2014 00:00

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve jep alarmin se një udhëzim i nxjerrë nga Ministria e Financave në bashkëpunim me atë të Drejtësisë ka bllokuar gjithë shërbimin përmbarimor të vendit.

“Shërbimi përmbarimor është në kolaps dhe në 90 për qind e aktivitetit të tij është pezulluar. Kjo duket qartë në dosjet e regjistruara, të cilat mund t’i shikoni tek të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, numri i të cilave është shumë në rënie për shkak të këtij udhëzimi”, deklaron Petrit Qarri, kryetar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve.

Udhëzimi, i cili ka hyrë në fuqi dy muaj më parë, ndryshon tarifat që bankat paguajnë për shërbimin përmbarimor, duke i kthyer ato nga fikse në tarifa në bazë të suksesit. Por sipas përmbaruesve, skema e re është lënë evazive dhe kjo ka krijuar ngërçin.

“Vetë bankat nuk gjejnë dot konsensus se si t’i afrohen shërbimit përmbarimor përmes tenderit të suksesit. Nuk dinë se kë do të quajnë sukses dhe kë do pranojmë ne si sukses. Problemi i dytë është mbështetja e Policisë së Shtetit. Drejtori i përgjithshëm ka dhënë një urdhër, i cili është ankimuar në gjykatë, ku specifikohen rastet e veçanta se kur do mbështetet shërbimi përmbarimor privat”, nënvizon Qarri.

Veç kësaj, sipas përmbaruesve, udhëzimi i ri ka dhe gabime teknike që e bëjnë atë të pazbatueshëm në terren. “Shpenzimet i janë dhënë palës debitore. Ka gabime teknike”, shton kryetari i Dhomës së Përmbaruesve.

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon, me rreth 25 për qind. Forcimi i ekzekutimeve përmbarimore ka qenë një nga rekomandimet kryesore të FMN-së dhe Bankës Botërore për të ulur rreziqet në sistemin financiar dhe ekonominë e vendit.

Top Channel