Rriten të ardhurat, bien shpenzimet

23/05/2014 00:00

Qeveria raportoi se të ardhurat në buxhet për katër muajt e parë u rritën me 9.4 miliardë lekë ose 8.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave tregojnë se rritja i dedikohet kryesisht tatimit mbi vlerën e shtuar.

Përmes kësaj takse, për katër muajt e parë janë grumbulluar 7.4 miliardë lekë më shumë se vjet, ndonëse një pjesë e këtij rezultati vjen nga tkurrja e fortë e rimbursimeve.

Sipas të dhënave, për periudhën janar-prill qeveria i ka kthyer biznesit 2.2 miliardë lekë më pak TVSH se vjet. Veç TVSH-së, taksa tjetër që ka gjeneruar para shtesë në buxhet është tatimi mbi fitimin.

Sipas Financave, për katërmujorin të ardhurat nga tatimi mbi fitimin ishin 1.5 miliard lekë më të larta, ose 23 për qind më shumë se vjet. Nga 1 janari, tatimi mbi fitimin u rëndua me 50 për qind.

Për katër muajt e parë këto janë dy zërat të cilët duket se kanë peshën kryesore në rritjen e të ardhurave të qeverisë. Paradoksalisht, akciza një tjetër taksë, të cilën qeveria e rriti në fillim të vitit vazhdon të sjellë më pak para në buxhet.

Sipas shifrave, të ardhurat nga akciza ishin për katër muajt e parë 7.7 për qind më të ulëta se vjet. Akciza është taksa që vendoset mbi mallrat e forta si cigarja, alkooli apo dhe karburantet, të cilat kanë rrezikshmëri të lartë për t’u kontrabanduar.

Nga qershori i dy viteve më parë kjo taksë mblidhet tërësisht nga doganat. Në kahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, qeveria vazhdon të mbajë një politikë të shtrënguar.

Sipas të dhënave, shpenzimet totale ishin 8 miliardë lekë më pak se vjet dhe zëri më i goditur është ai i investimeve publike, të cilat kanë rënë me 10 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Top Channel