Ligji i ri për mbikqyrjen financiare

21/05/2014 00:00

Një ndryshim, i propozuar nga komisioni i Ligjeve në minutat e fundit, ka futur në ngërç ligjin e ri për Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, të rekomanduar nga Banka Botërore.

Propozimi, i cili prek mënyrën se si zgjidhet bordi drejtues, sipas Drejtoreshës së AMF godet institucionin dhe çon në ndërpreje mandatesh.

“Të pretendohet se disa njerëz të ardhur nga jashtë, që nuk kanë eksperiencë fare, që do ta drejtojnë këtë institucion dhe të çojë përpara gjithë këto do të jetë shumë e vështirë. Nuk e fus veten këtu, sepse unë jam një tekniciene, kam nja 21 vjet shkollim, por dua të mbroj institucionin”, është shprehur Enkelejda Shehi, Drejtore e AMF.

“Askush nuk ka shkruar në ligj, apo nuk pretendon që të ndryshojë të gjithë stafin e institucionit, apo gjëra të tjera që po thuhen këtu. Jo, ka vetëm një nen që kërkon të ndryshojë mënyrën e drejtimit të bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, nuk ka asgjë tjetër”, deklaroi Erion Braçe, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i hedh poshtë pretendimet e AMF dhe tha se drafti i ri rrit pavarësinë e këtij institucioni nga qeveria.

“Sot, nëpërmjet Këshillit të Ministrave vijnë 5 propozime nga 7, ndërsa me propozimin e ri Ministria e Financave dhe vet Këshilli i Ministrave do të sjellë vetëm 2 nga 5. Pra, shumica është jashtë qeverisë. 1 e ka komisioni i Ligjeve, 1 e ka komisioni i Ekonomisë, ndërsa tjetrin e ka Banka e Shqipërisë”, tha Ervin Mete.

“Në qoftë se njolloset institucioni për 1 apo 2 emra, që nuk janë ata – le të themi – që duhet të jenë, është më e ndershme që ministri i Financës të rishikojë këta emra, se sa të propozojë kandidatura e struktura të minutës së fundit, që vetëm sa do na sjellin një ligj tjetër, pasi nuk është më ky ligj”, theksoi sërish  Enkelejda Shehi.

Por, megjithë sqarimet e qeverisë, Gjovalin Kadeli i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkoi ndërprerjen e seancës, për t’i dhënë kohë grupit të LSI-së të shqyrtojë ndryshimet.

“Nëse do ta ndërpresim, do ta bëjmë në funksion të seancës së ditës së enjte, javën tjetër, kur dhe është në rend të ditës projektligji për t’u miratuar, dhe normalisht do të fillojmë ditën e hënë me paragrafin e fundit të nenit 1”, u shpreh Braçe, pas kërkesës së deputetit Gjovalin Kadeli.

Drafti i AMF është pjesë e paketës ligjore të rekomanduar nga Banka Botërore dhe FMN, si ndërhyrje urgjente për të ulur rreziqet në tregun financiar. Madje, e gjithë kjo paketë ka qenë e kushtëzuar me kredinë 320 milionë dollarëshe, që Banka Botërore dha për qeverinë shqiptare.

Top Channel