Ligji për sigurimet, forcohet mbikëqyrja

20/05/2014 00:00

Komisioni i ekonomisë miratoi një ligj që i jep të drejtën Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të detyrojë aksionerët kryesorë në kompanitë e sigurimeve të shesin aksionet kur janë në vështirësi financiare.

“Ka një shkallëzim masash që vendos autoriteti dhe në këtë pikë i thotë: ‘je në momentin që do të të marr në administrim, bëj përpjekje të shesësh aksionet tek një aksioner tjetër’”, sqaroi Ervin Mete, zv.ministër i Financave.

Por vetë kompanitë e sigurimeve duket se nuk e kanë mirëpritur këtë ndryshim dhe jane shprehur skeptike. “Më kërkohet mua të shes aksionet, unë marr si shpërblim disa të holla. Më thoni se si rregullohet kapitali i shoqërisë kështu?”, u shpreh Ardit Hysa nga Shoqata e Siguriesve.

“Shitësi nuk do t’ia shesë kujtdo. Nuk do t’ia shesë atij që s’ka para për ta vazhduar”, argumentoi deputeti i PS, Erjon Braçe.

“Do të thotë që në fund të negociatave do arrihet në përfundimin se gjërat do fillojnë nga e para”, insistoi Hysa.

“Nuk mund të vëmë në rrezik kapitalin financiar të vendit vetëm për dy ose tre kompani që keqmenaxhojnë totalisht”, replikoi sërish Braçe.

Drafti për sigurimet është pjesë e një pakete me disa ligje që forcojnë mbikëqyrjen për shoqëritë e tregut financiar jo banka, të kërkuara me forcë nga Banka Botërore për të ulur rreziqet në ekonomi.

Paralelisht komisioni miratoi edhe një tjetër ligj, atë për Agjencinë e Depozitave ku vendosi që kursimet e fermerëve në shoqëritë e kursim kreditit të jenë të siguruara deri në 2 milionë lekë nga 2.5 milionë që janë në banka.

Top Channel