Bashkëpunimi Shqipëri-Austri

20/05/2014 00:00

70 investitorë austriakë kanë mbërritur në Tiranë duke shoqëruar vizitën zyrtare të presidentit të këtij vendi, i konsideruar ndër 5 shtetet me investime të huaja direkte më të larta në Shqipëri.

“Ne besojmë se potenciali i plotë i raporteve tregtare midis vendeve tona nuk është arritur ende”, tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Duke vënë në dukje këtë fakt, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, dikasteri i të cilit në zhvillim të asaj që ka vendosur si prioritet, diplomacinë ekononomike, organizoi takimin mes investitorëve austriakë dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, renditi serinë e masave nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit.

“Mbetet shumë për të bërë në përthithjen e investimeve strategjike austriake në Shqipëri. Problematikat e bizneseve të huaja dhe atyre austriake në vendin tonë janë në fokus të kësaj qeverie, e cila synon përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend dhe krijimin e një klime të shëndetshme për tërheqjen e investimeve të huaja duke luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe informalitetin në ekonomi duke adresuar çështjen e titujve pronësorë, duke përmirësuar performancën e administratës tatimore dhe doganore dhe duke riformuar plotësisht sistemin e rimbursimit të TVSH-së”, u shpreh Bushati.

Megjithë evidentimin e një sërë sektorësh potecialë për investime austriake në Shqipëri, si energjia, infrastruktura, mjedisi apo shërbimi, turizmi mbetet konstatja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Kryesisht jemi bazuar në llojet e turizmit që ne kemi mundësi të zhvillojmë: turizmi kulturor, turizmi i natyrës, agroturizmin duam ta zhvillojmë. Burimet financiare janë modeste, por do të mundohemi që të shikojmë paralelisht mundësinë e investitorëve dhe donatorëve që mund të na ndiihmojnë në projekte të veçanta”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermeni.

Përveç bashkëpunimit ekonomik, në takim u vlerësua edhe roli historik i Austrisë në mbështetje të Shqipërisë, po aq sa edhe në procesin integrues të Shqipërisë.

Top Channel