Ndarja e re territoriale

19/05/2014 00:00

Nga pesë variante të ndarjes së territorit të vendit, komisioni parlamentar do të përzgjedhë këtë javë një. Harta e përcaktuar si më e volitshmja do të zbresë më tej për konsultime dymujore me komunitetet dhe drejtuesit e tyre, si dhe do t’i nënshtrohet një sondazhi për të marrë opinionin e qytetarëve.

Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi thotë se variantet e hartave kanë ruajtur traditën e dikurshme të rretheve, por kanë marrë parasysh edhe polet e reja të zhvillimit të pas 1992-shit.

Por sa do të ndikojë qëndrimi i një komuniteti të caktuar, veçanerisht atyre që iu ndryshon përkatësia e njësisë vendore në  variantin përfundimtar të hartës?

“Nuk do të jetë votim, do të jenë debate dhe diskutime për të mirën që sjell reforma. Në këtë fazë, detyra jonë madhore është t’iu shpjegojmë përfitimet që do të kenë nga reforma dhe do t’i sigurojmë se zyra e tyre e shërbimeve, që dikur kanë komunat, do të mbetet aty, me një administrator, ku aty do t’i marrin sërish shërbimet. Mendoj se kjo ka rëndësi për qytetarët”, deklaroi Çuçi.

Por bashkë me avantazhet, krijimi i bashkive të mëdha, potencialisht mund të shoqërohet me rrezikun e përqendrimit të investimeve në qendrat e tyre, ku popullësia është më e lartë, fenomen që ndodhi në vende si Bullgaria pas reformes territoriale. “Teorikisht mund të ndodhë”, nënvizoi Çuçi.

Por, pavarësisht mundësisë teorike që ministri pohon, praktikisht, thotë ai, në një terren tejet të fragmentarizuar me shumë komuna si Shqipëria, ku pothuaj nuk kishte më garë në zgjedhjet për drejtues të tyre, pritet që ndryshimi të jetë pozitiv.

“Gara zgjedhore do të jetë më reale dhe i zgjedhuri vendor do të detyrohet të shpërndajë investimet edhe në periferi për shkak se edhe aty do të duhet të marrë vota”, saktësoi Çuçi.

Por pavarësisht, për të ligjëruar shmangien e një fenomeni të tillë, ekspertët e huaj janë shprehur më herët se siguria e plotë do të ishte ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për të garantuar përfaqësimin edhe të periferive në këshillat vendorë, por kjo kërkon bashkëpunimin e opozitës.

Cilët janë 5 variantet e hartës territoriale

Pesë variantet e hartës territoriale parashikojnë një ndarje të vendit vetëm në bashki. Në variantin e parë parashikohen 30 të tilla, ku nuk ka krijim të rretheve të reja, përveç Malësisë së Madhe.

Në variantin me 39 bashki, përveç Malësisë së Madhe, shtohen bashki të tjera si Hasi, Mallakastra, Delvina, Devolli, Kolonja, etj. Gjithësesi, edhe në këtë variant, bashkitë që krijohen janë njësi të mëdha vendore, e ndjeshme veçanërisht në qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani, Vlora, Korça, të cilave iu bashkohen edhe komunat.

Në variantin me 47 bashki, ndër të tjera bie në sy ndarja e Kamzës bashki më vete dhe e Himarës me disa komuna të Vlorës në njësi më vete. Varianti i katërt pashikon 57 bashki, ku ato që sot quhen qytete të vogla bëhen qendra bashkish më vete, duke iu bashkuar edhe komunat përreth. Variant i fundit parashikon 63 bashki.

Ajo që i bashkon të gjitha variantet është ruajtja e njësive minoritare, si Dropulli apo Pusteci, bashki më vete. Nga këto variante, komisioni do të përzgjedhë këtë javë njërin prej tyre, i cili për dy muaj do të konsultohet me komunitetet dhe drejtuesit e tyre.

Top Channel