Gjiganti kinez merr bakrin shqiptar

19/05/2014 00:00

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, pjesa më e madhe e rezervave shqiptare të bakrit kanë kaluar në pronësi të gjigantit botëror të minerave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”.

Lajmi është konfirmuar për Top Channel nga burime zyrtare të Ministrisë së Energjetikës. Përkatësisht pak ditë më parë kompania kineze ka blerë në Turqi 50 për qind të aksioneve të “Nesco Metal”. Kjo e fundit është ndërmarrja që zotëron 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “Beralb”, e cila ka me koncesion nga qeveria shqiptare vendburimet më të rëndësishme të bakrit në Shqipëri si minierën e Munellës, Lakroshit, Karmës por edhe Fabrikën e Pasurimit në Fushë-Arrëz.

Bakri konsiderohet si metali i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri edhe pse vitet e fundit industria është goditur nga rënia e cmimeve në tregjet ndërkombëtare, por edhe problemet e brendshme. Sipas të dhënave zyrtare katër vitet e fundit eksportet shqiptare të bakrit janë luhatur nga 30 deri në 40 milionë dollarë në vit, pjesa dërrmuese e të cilave mbi 87 për qind i përket prodhimit të Munellës.

Kalimi i këtyre rezervave në pronësi të kinezëve shton shpresat për një rigjallërim të industrisë së bakrit në Shqipëri. “Jiang Xi”, e cila zotërohet  nga qeveria kineze renditet kompania e dytë në botë për prodhimin e bakrit. Vitin e kaluar kompania u klasifikua nga “Fortune Global” në pozicionin e 414 mes 500 kompanive më të mëdha në botë për nga vlera e tregut me një xhiro vjetore prej 28 miliard dollarë, ose sa dy herë Prodhimi Kombëtar i Shqipërisë.

Top Channel