Ambasada Gjermane në Tiranë ka reaguar pas publikimit në median shqiptare dhe akuzave të opozitës për kapjen në Gjermani të 685 kg marijuanë në brendësi të një blloku betoni.

Raportimet e publikuara në mediat shqiptare, thuhet në njoftim, i referohen një deklarate për shtyp të Zyrës së Hetimit Doganor të Mynihut publikuar më 16.05.2014, e cila u bë publike ndër të tjera edhe nga një artikull i “Süddeutsche Zeitung” datë 17/18 maj.

Në njoftim theksohet se “hetimet e gjera të realizuara pas bllokimit të drogës bashkarisht nga autoritet kompetente shqiptare dhe gjermane treguan se autorë krimesh në Gjermani dhe të tjerë deri më sot ende të paidentifikuar plotësisht në Shqipëri kishin organizuar në bashkëpunim disa dërgesa marijuane në drejtim të Evropës Perëndimore”.
Policia shqiptare së bashku me partnerët e saj gjermanë, thuhet në vijim të deklaratës, arriti të identifikonte kamionë dhe persona të tjerë, të cilët eventualisht janë përgjegjës për transporte të tilla të ngjashme në drejtim të Gjermanisë, Italisë dhe Hollandës. 

Prej artikullit të “Süddeutsche Zeitung” të datave 17/18 maj rezulton se autoritetet hetimore i kishin shënjestruar prej vitesh dy kriminelët me origjinë nga Shqipëria, pa mundur të siguronin deri më tani provat për veprimtarinë e tyre kriminale.

Pas publikimit të kësaj deklratare nga Ambasada gjermane reagoi edhe kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ku thotë se “qeveria gjermane, nëpërmjet Ambasadës së saj në Tiranë, ka publikuar qëndrimin, ku lexohet qartë gjithçka lidhur me sa është folur, dëgjuar e shkruar dje e pardje,  duke u nisur nga një alarm krejt fals i dhënë prej godinës së SHQUP-it për sasinë e drogës si edhe grupin e trafikantëve shqiptarë të kapur së fundmi në Gjermani”.

Siç e kemi nënvizuar edhe më parë, thotë Rama, rivendosja e lidhjeve të bashkëpunimit me partnerët në fushën e luftës ndërkufitare kundër krimit të organizuar e trafiqeve është një nga arsyet e kapjeve spektakolare që po bëhen edhe në luftën kundër drogës. Dhe ky i fundit në Gjermani është vetëm njëri prej shembujve të bashkëpunimit, thekson Rama.

Top Channel