Qeveria, 320 mln dollarë nga BB

17/05/2014 00:00

Paketa e kredisë që qeveria do të marrë nga Banka Botërore në total shkon 320 milionë dollarë. Zëvendësministri i Financave Erjon Luçi thotë se vec dy transheve 220 milionë euro që lëvrohen këtë vit, do të ketë edhe një tjetër disbursim vitin e ardhshëm.

“Është planifikuar edhe një transh tjetër për vitin që vjen, të paktën 100 milion dollarë, ndërkohë që ka bisedime për programe të tjera të reja, por që për momentin ajo që është e siguritë është që shumë shpejt do të fillojmë me përpilimin e disa masave për trashenë e dytë që do miratohet më vonë”, thotë Luçi.

Qeveria shqiptare ka siguruar rreth 900 milionë dollarë financime me terma të butë nga FMN, Banka Botërore dhe Bashkimi Europian. Luçi thotë se marrja e këtyre kredive ndihmon ekonominë së pari duke injektuar likuiditet në treg.

“Të jep mundësinë që t’i japësh një goditje ekonomisë në momentin që ajo ka nevojë më shumë, ndërkohë që e kthen kredinë në një kohë më të mirë, kur ekonomia është në një gjendje shumë më të mirë dhe në gjendje për të paguar, përvec faktit që kushtet e kredisë janë jashtëzakonisht të buta. Kjo është e mira e parë që ne kemi synuar këtë lloj financimi”, shton zv.Ministri i Financave.

Por sipas tij këto marrëveshje financimi kanë dhe një tjetër efekt pozitiv, pasi nxisin reformat që ndihmojnë ekonominë.

“Ky operacion është i lidhur me përmirësimin e kushteve në tregjet financiare pikërisht për t’i dhënë hapësirë rritjes më të shpejtë të kredisë, që sic e dimë ka arritur në një pikë stanjacioni, që të mbështesë rritjen ekonomike, po aq sa mund të mbështesë edhe pjesa e shpenzimeve publike”, përfundon ai.

Paratë e siguruara nga donatorët po përdoren për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj biznesit. Për këtë vit qeveria ka parashikuar të paguajë 350 milionë dollarë, nga të cilat 100 milionë janë paguar sakaq.

Top Channel