Lind tregu i kredive të këqija

17/05/2014 00:00

Bankat shqiptare shitën 100 milionë dollarë kredi të këqija në vitin 2013. Shifra është bërë publike nga Banka e Shqipërisë në raportin e fundit mbi stabilitetin financiar të vendit.

Shitja e kredive problematike është një fenomen i ri për ekonominë shqiptare.  Sipas Bankës së Shqipërisë këto operacione ishin shkaku kryesor që frenuan rritjen e kredive me probleme, të cilat vitin e kaluar shënuan normën më të ulët. Por si fuksionon shitja e tyre? Top Channel ka mësuar se vitin e kaluar u shitën përkatësisht 2 portofole kredish me probleme nga dy banka private. I pari është blerë nga një fond shqiptar dhe përmbledh me mijëra kredi konsumtore të marra nga individët, të cilet nuk ka qenë korrekt me shlyerjen, ndërsa portofoli i dytë prej gati 60 milionë dollarësh kanë qenë i përbërë nga kreditë problematike të 15 kompanive shqiptare.

Bankat i shesin kreditë me probleme me cmime dukshëm më të ulëta se sa vlera e tyre, në disa raste madje, kur janë të pambuluara me garanci edhe me 10 përqind të vlerës pasi mundësitë që ato të kthehen mbrapsh janë të ulëta. Përmes shitjes ato jo vetëm që pastrojnë bilancin, por ja kalojnë detyrimin për t’i ndjekur këto kredi institucionit që e blen duke kursyer edhe kostot administrative.

Por jo cdo kompani mund të blejë kredi të këqija. Ky biznes kërkon licencë nga Banka e Shqipërisë dhe aktualisht në vendin tonë janë rreth 7 institucione të tilla financiare që mund të kryejnë këtë aktivitet. 

Top Channel