BB miraton kredinë për Shqipërinë

16/05/2014 00:00

Pas Fondit Monetar, Shqipëria ka arritur të sigurojë edhe një tjetër paketë të gjerë kredie nga Banka Botërore. Bordi i drejtorëve ekzekutivë të këtij institucioni miratoi të premten transhin e parë prej 100 milionë dollarësh të paketës që brenda pak ditësh do të pasohet nga një këst i dytë edhe më i madh.

Transhi i parë prej 100 milionë eurosh që u miratua një ditë më parë shkon si mbështetje e drejtëpërdrejtë buxhetore dhe do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Por, ky nuk është i vetmi. Top Channel ka mësuar se në fund të muajit Banka pritet të miratojë një tjetër transh, i cili do të jetë rreth 120 milionë dollarë të tjera, çka e çon paketën totale të financimeve në 220 milionë dollarë.

Pas miratimit, paketa shkon për ratifikim në Parlament dhe pritet që të jetë e gatshme për disbursim në qershor dhe do të financojë shpenzimet e buxhetit për pjesën e dytë të vitit.

Transhi i parë i kredisë që u miratua një ditë më parë nga bordi i drejtorëve të Bankës Botërore ishte i kushtëzuar me ndërmarrjen nga qeveria të një sërë reformave në sistemin financiar. Këtu përfshiheshin masat për uljen e kredive të këqija, hartimi i disa ligjeve për mbikqyrjen e sistemit financiar, përfshirë tregun e sigurimeve dhe të tjerë.

Të gjitha këto masa ligjore që ishin kusht për marrjen e kredisë aktualisht janë në proces miratimi në Parlament, çka duket e ka bindur Bankën Botërore t’i hapë rrugë paketës së financimeve.

Sipas Bankës, kreditë janë me afat 22-vjeçar dhe qeveria do ta fillojë shlyerjen e tyre pas 7 vjetësh.  

Top Channel