Londra pozicionohet aktualisht më pozitive se në Dhjetor 2013 për kandidaturën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë një konference të organizuar në Bruksel pas Këshillit të së martës, ministri për çështjet europiane, David Lidington,  shpalosi, larg kamerave, 5 prioritetet për qeverinë britanike mbi të cilat duhet të fokusohet Komisioni i ardhshëm Europian. Megjithëse politika e zgjerimit nuk përfshihej në këto prioritete, Lidington u shpreh se  e mbështet këtë proces pasi nxit paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan.

I pyetur përse Britania e Madhe hezitoi në Dhjetor për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë dhe se çfarë qëndrimi do të mbahej në Qershor, ai u përgjigj:

“Qendrimi ynë në Dhjetor ishte se qeveria Rama ishte në pushtet prej vetëm disa javësh dhe menduam se ishte tepër herët për të gjykuar punën e saj. Por, kur së fundi isha për vizitë në Shqipëri mbeta i impresionuar me atë që është bërë nga kjo qeveri në rrethana shumë të vështira ekonomike dhe politike.  Jam i inkurajuar me këtë përparim dhe çështjes së statusit do t’i kthehemi më vonë gjatë qershorit”, deklaroi David Lidington, Ministër për Çështjet Europiane, Britani e Madhe.

Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Holanda e Danimarka ndanë të njëjtin qëndrim në Këshillin e Dhjetorit. Burime diplomatike rrëfejnë për tch se në Këshillin e Qershorit pritet që Gjermania të shfaqë një disponim më të mirë ndaj Shqipërisë duke e konsideruar vlerësimin pozitiv të Komisionit dhe se Haga parashikohet të ndjekë qëndrimin e Berlinit pas zgjedhjeve të 25 Majit.

Mësohet se vetëm  Franca mbetet ende skeptike, meqënëse Danimarka pritet të japë konsensusin për statusin kandidat të Shqipërisë në fund të qershorit.

Top Channel