Reduktohet më tej kreditimi

13/05/2014 00:00

Banka e Shqipërisë raporton se kriza e kredive po thellohet, duke e bërë më të vështirë financimin e investimeve të reja në ekonomi.

Në vrojtimin e fundit mbi aktivitetin kreditues, që mbulon tremujorin e parë të vitit, Banka Qendrore vëren se bankat private shtrënguan më tej kushtet për dhënien e kredive të reja për biznesin, ndërsa kanë lehtësuar disi ato për individët.

Ky është tremujori i dytë me radhë, kur bankat shtrëngojnë kreditimin e sipërmarrjeve private, këtë radhë me një intensitet më të lartë, duke rritur marzhin e interesave dhe rënduar kërkesat për garancitë, që biznesi duhet të lërë peng.

Sipas vrojtimit, kategoria më e goditur nga rëndimi i kushteve janë kreditë, që përdoren për investime, ndërsa ato për kapital qarkullues janë lehtësuar disi. Por, shtrëngimi i kushteve për investime nuk është treguesi i vetëm, që sinjalizon për rrudhjen e tyre.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thotë se edhe vetë kërkesa e ndërmarrjeve për kredi, që përdoren për financimin e investimeve të reja, ka rënë. Sipas Bankës, kërkesa ka rënë si nga ndërmarrjet e mëdha, ashtu dhe nga ato të vogla.

Rezultatet e fundit mbi aktivitetin kreditues vijnë pas publikimit, pak kohë më parë nga Banka e Shqipërisë, të një tjetër vrojtimi, atij që lidhet me besimin e bizneseve, dhe krijojnë një situatë gati kontradiktore.

Në këtë vrojtim, vetë bizneset janë shprehur me rritje të fortë optimizmi, por sipas bankave private kjo nuk është është shoqëruar me rritje të kërkesës për kredi dhe investime të reja në ekonomi.

Top Channel