FMN: Programi ekonomik po ecën sipas planit

13/05/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në një konferencë të përbashkët për mediat me FMN dhe Bankën e Shqipërisë, ka deklaruar se viti 2013 ka qenë një vit jashtëzakonisht i vështirë për ekonominë shqiptare.

Sipas Canit, falë masave të marra nga qeveria ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht.

“Rritja ekonomike në 2013-n ishte më e ulët se çdo vit tjetër, në nivelin 0.4%, duke e bërë këtë vit jashtëzakonisht të vështirë për ekonominë në Shqipëri. Prioritet mbetet shlyerja e detyrimeve të prapambetura, ku deri tani kemi shlyer 200 mln lekë. Si rrjedhojë e masave të marra nga qeveria ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht. Kemi marrë masa për të shmangur vonesat për shlyerjen e TVSH-së”, tha Cani.

I pranishëm në këtë konferencë për mediat ishte edhe Shefi i Misionit të FMN, Nadeem Ilahi, i cili është shprehur se sipas vlerësimit të FMN programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit.

“Programi ekonomik në Shqipëri po ecën sipas planit. Ecuria fiskale është sipas plani, edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ka filluar të ecë përpara. Ndërkohë autoritetet mbeten të angazhuara për një konsolidim të mëtejshëm edhe në vitin 2015 në mënyrë që borxhi të zvogëlohet. Autoritete kanë progres të mirë edhe në disa reforma kyçe. Megjithatë sektori i energjisë elektrike përbën ende një problem të madh fiskal, ndërkohë që ka disa risqe fiskale që kanë të bëjnë me kthimin dhe kompensimet e pronave”, deklaroi zoti Ilahi.

Gjithashtu edhe sipas ministrit të Ekonomisë, zotit Arben Ahmetaj, ekonomia është duke reaguar pozitivisht. Sipas tij nga të dhënat e INSTAT janë rritur si eksportet edhe importet. Ndërkohë që Ahmetaj është shprehur se po vazhdohet me rikthimin e detyrimeve të pashlyera ndaj biznesit.

Top Channel