Shqipëria dhe Greqia arrijnë marrëveshjen për çështjen delikate e problematike të toponimeve. Ditmir Bushati dhe Evangelos Venizellos, respektivisht dy ministrat e Jashtëm të dy vendeve, kanë përmbyllur marrëveshjen në Bruksel, trajtimi i së cilës nisi disa ditë më parë gjatë samitit të Selanikut.

Çështja, e konsideruar teknike prej institucioneve të dy shteteve fqinje, do të zgjidhet sipas të drejtës ndërkombëtare. Në deklaratën e përbashkët të Ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë thuhet se, është rënë dakord që toponimet të zgjidhen bazuar tek katalogët zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO.

Me fjalë të tjera do të thotë se emrat e vendlindjes do të jenë në gjuhën angleze. “E drejta ndërkombëtare e zgjidhjes së çështjes është mënyra më e sigurtë dhe e duhur”, thuhet në deklaratë.

Por megjithëse ka qenë një problematikë më e dukshme me shtetin grek, pasi emigrantëve tanë atje, veçanërisht vitet e fundit, për këtë çështje iu është bllokuar rinovimi i lejeve të qëndrimit, problemi i toponimeve është ekzistues me të gjitha vendet e tjera.

Duke synuar zgjidhje të unifikuar, e drejta ndërkombëtare – thotë Ministria jonë e Jashtme – do të jetë gjithashtu adresuesja e çështjes së pasqyrimit të emrave gjeografikë të njërit vend në dokumentet e vendit tjetër, do të jetë në bazë të zgjidhjes së këtij problemi edhe me shtetet e tjera.

“Gjatë periudhës tranzitore, deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve”, mbyllet deklarata mes Tiranës dhe Athinës, ku saktësohet se afati i përcatuar për zbatimin e kësaj proçedure është 1 janari i 2015-s.

Top Channel