Rama në Forumin ekonomik të Vjenës

12/05/2014 00:00

Gjatë zhvillimit të forumit ekonomik të Vjenës, i cili i kushtoi të hënën një konferencë të veçantë Shqipërisë, kryeminstri Edi Rama ftoi investitorët austriakë të jenë të pranishëm në Shqipëri me investimet e tyre, duke paraqitur mundësitë dhe avantazhet e Shqipërisë për të bërë biznes.

Duke shprehur vetëdijen për ndryshimin rrënjësor që i nevojitet Shqipërisë, kreu i qeverisë tha se po punohet për të hedhur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare si FMN.

“Aktualisht jemi edhe në bisedime me Bankën Botërore, për dy kredi për politikat zhvillimore dhe për reformimin e sektorit energjitik. Me këtë mbështetje, ne do të eliminojmë në një kohë të shkurtër borxhet e fshehura, të trashëguara dhe do të nisim gjithashtu reforma radikale në sektorët kyç”, deklaroi Rama.

Duke theksuar rëndësinë që kanë për Shqipërinë investimet e huaja, kreu i qeverisë tha se së shpejti, me mbështetjen e Bankës Europiane, do të themelohet Këshilli i Investimeve, që do shërbejë për bashkëpunimin e investitorëve në vendin tonë dhe në rajon.

Kryeministri shprehu angazhimin për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me Austrinë dhe sipërmarrjen austriake, u tha se investimet e huaja në Shqipëri gjejnë atë që është domosdoshmëri për të mirën e sipërmarrjes së tij.

“Testoni vendosmërinë tonë dhe të vini dhe të bëni biznes në Shqipëri. Ne duhet të jemi realisht në pozitën për të bindur çdo sipërmarrës, që ajo çfarë ne kemi nevojë është jo vetëm çka Shqipëria ka nevojë, por po ashtu është ajo çka çdo kompani që do të vijë të investojë në Shqipëri ka si domosdoshmëri për të mirën e sipërmarrjes së vetë”, theksoi Rama.

Në Vjenë, kryeministri Rama u takua edhe me kancelarin e Austrisë, zotin Werner Faymann, i cili inkurajoi progresin e deritanishëm dhe shprehu mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë në rrugën e saj të modernizimit dhe integrimit. Gjithashtu, kryeministri vizitoi edhe Dhomën Federale të Tregtisë.

Top Channel