Rama: Shqipëria ka paguar për të shkuarën

11/05/2014 00:00

Televizioni francez TV5 i ka dedikuar një reportazh prej 40 minutash zhvillimeve më të fundit në Shqipëri.

Dy gazetarët francezë kanë intervistuar në kryeministri edhe kreun e qeverisë Rama të cilin fillimisht e kanë pyetur se çfarë nënkupton ‘Rilindja’ në kontekstin e situatës ekonomike , luftës  kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe  shpresa për të hyrë në Europë.

“Mendoj se, për fat të keq, Shqipërisë i është dashur të paguajë një kosto të lartë për të shkuarën e saj, në kuptimin që nëse e shohim rrugën që kanë bërë drejt Europës vendet që kanë dalë nga perandoria komuniste, kuptojmë që ata që arritën të ulen të parët në tryezën e familjes europiane, ishin ata që pësuan më pak dëme nga komunizmi dhe që gjetën më shumë pika reference në të shkuarën e tyre para komunizmit. Për një vend si Shqipëria apo për vendet e rajonit të Ballkanit, e shkuara ka qenë shumë më pak bujare, se sa për vendet e tjera dhe përpjekja duhet të jetë më e madhe. Kur flasim për rilindje, ne flasim për Europën, jo si një stacion që na pret diku në një rrugë jashtë Shqipërisë, por si një udhëtim brenda vendit tonë, për të rizbuluar rrënjët tona europiane dhe arsyet që ne kemi për të qenë europianë, për të rizbuluar Europën këtu tek ne, duke ndërtuar një Shqipëri europiane”, ka thënë Kryeministri Rama.

Keni aspiruar dy herë për të hyrë në familjen europiane dhe dy herë jeni refuzuar. Pas disa ditësh, në qershor, ju shpresoni për të tretën herë, të merrni statusin e kandidatit. Për ju, është një sfidë. Nuk do të jetë e fundit. Por, duket që do të jetë një takim shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe për 3 milionë shqiptarët.Kjo ishte pyetja e radhës drejtuar Ramës.

“Kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për ne, por edhe për Europën. Sepse nuk bëhet fjalë për anëtarësim. Nëse do të ishte fjala për anëtarësimin, do ta kuptoja ngurrimin. Këtu bëhet fjalë vetëm për një mjet inkurajues. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë, një pilulë antidepresive, për të inkurajuar një shoqëri të gjejë tek Europa, një pikë reference. Dhe unë jam i tronditur përpara këtij ngurrimi,  sepse Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Jo sot, por e ka merituar edhe më parë. Ajo meriton të inkurajohet, meriton t’ i jepet një pikë reference dhe të ecë përpara drejt procesit të integrimit. Dhe ne duam të futemi në këtë proces, sepse, siç ka thënë një njeri që unë e admiroj dhe kam pasur fatin e madh ta njoh shumë vite më parë: procesi i integrimit është një mjet absolutisht unikal për një vend si Shqipëria, për të ndihmuar modernizimin e saj. Kështu që, për ne, procesi është edhe më i rëndësishëm se pranimi”, u përgjigj Kryeministri.

Në fund të intervistës Rama ka deklaruar se Shqipëria  ka një nevojë jetësore. “Por mendoj- thotë ai-  se Europa ka gjithnjë e më shumë nevojë për këtë rajon dhe për Shqipërinë, sepse është e kotë të mendosh që çdo gjë që ndodh jashtë mureve, nuk ka rëndësi për Europën”.

Rama beson se  sa më shumë gjëra të pakëndshme të ndodhin jashtë mureve të Europës, aq më keq ecën ajo.

Top Channel