Meta: Europa Juglindore duhet të integrohet

11/05/2014 00:00

Përfundoi në Bukuresht të Rumanisë Asambleja Parlamentare e procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku kryetarët e Parlamenteve të vendeve anëtare të SEECP miratuan një  deklaratë të përbashkët me rastin e inaugurimit të Asamblesë Parlamentare të saj.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, tha se projekti europian mbetet më i rëndësishëm se kurrë pavarësisht rritjes së euro-skepticizmit.

“Asambleja Parlamentare vjen në një moment shumë kritik gjatë krizës ekonomike globale, që ka tronditur themelet e sigurisë ekonomike dhe sociale të disa vendeve anëtare të BE-së. Sondazhet vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve europiane, po tregojnë se kriza ka sfiduar perspektivën e zgjerimit të BE-së për të ardhmen. Ne e kuptojmë se momentet e vështira sjellin lodhje për zgjerim të mëtejshëm. Por ne gjithashtu jemi të qartë në besimin tonë se, pa një Europë Juglindore të integruar plotësisht, nuk ka parametra të shëndosha  stabiliteti dhe sigurie në vetë Bashkimin Europian. Zhvillimet e fundit shqetësuese në Ukrainë janë vetëm një kujtesë e thjeshtë dhe e qartë e kësaj”, ka deklaruar kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Për herë të parë në këtë takim të rëndësishëm rajonal mori pjesë edhe Kosova, në statusin e të ftuarit të veçantë të kryesisë rumune, për të cilën kryeparlamentari Meta shprehu mirënjohjen dhe tha se duhet të gjendet konsunsi që Kosova së shpejti të bëhet anëtare në organizmat rajonale.

Top Channel