Fondi për nxitjen e punësimit

11/05/2014 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, fton bizneset që deri në datën 25 maj të aplikojnë për të përfituar nga fondi i nxitjes së punësimit duke e konsideruar këtë fond si një mundësi të mirë për të gjithë bizneset e vogla që duan të zgjerojnë aktivitetin e tyre.

Fondi i cili përbëhet nga 6 programe mbështet krijimin e vendeve të reja të punës duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.

“Mirë është që të aplikoni për fondet e nxitjes së punësimit. Nëse ke punëtorë ekstra, ne të paguajmë 4 muaj të rrogës dhe të gjitha muajt e sigurimeve shoqërore. Në këtë mënyrë ndihmohen të papunët dhe biznesi. Këto janë disa para që shteti i ofron për t’i ardhur në ndihmë disa bizneseve që e kanë filluar nga zero. Për 1 vit kjo është një ndihmë jo e vogël. Ne nuk targetojmë kompani që kanë mbi 1 mijë punëtorë, pasi ai është konsoliduar, por një biznes familjar që do të shtohet me pak persona, një pjesë të fondit mund ta heqim ne”, tha Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

2.7 milionë dollarë është fondi i nxitjes së punësimit i vënë në dispozicion nga qeveria këtë vit.

Nga ky fond do të përfitojnë ato biznese që punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza të reja, persona me aftësi të kufizuar apo nga komuniteti rom e egjiptian.

Ministri Veliaj vizitoi një kompani tekstili në qyetin e Cërrikut.

Top Channel