Reforma në gjithë sistemin e drejtësisë

10/05/2014 00:00

Drejtësia shqiptare ndodhet në pikën ku publiku nuk e beson më. E për
këtë, sipas ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, jo vetëm duhet menduar
për të promovuar gjyqtarët, avokatët dhe prokurorët e ndershëm, duke
shpallur një të tille si njeriun e vitit, por akoma më e rëndësishme,
gjithë sistemi duhet të preket nga reforma urgjente.

“Për të ndryshuar këtë realitet kemi kërkuar reformimin e Gjykatës së Lartë, e cila po përballet me një numër cështjesh të mbartura prej 10 mijë çështje penale dhe civile, të cilat janë mbartur në vite dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkese, është që në praktikë palët ankimojnë çdo cështje pranë Gjykatës së Lartë sepse lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese. Reforma në Gjykatën Kushtetuese, vlerësohet si prioritare me adresim në çështje që lidhet me kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj Gjykate, vendosjen e afateve të arsyeshme për shpalljen e vendimeve të tjera. Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë është prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë për shkak të problematikave që lidhen në përbërjen statusin, rolin e anëtarëve të KLD-së, emërimin, transferimin, procesin e vlerësimit të gjyqtarëve, por njëkohësisht shmangien e mbivendosjes së dy inspektorateve të Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së, si dhe harmonizimin e tyre, si dhe kontrolle të përbashkëta. Reformimin e zyrës së Prokurorittë Përgjithshëm; vëmendje t’i kushtohet edhe reformimit të këtij institucioni, ku ndër të tjera prioritare do të jetë forcimi i kompetencave dhe forcimi i Këshillit të Prokurorisë”, u shpreh Naço.

Pro reformes ishin edhe kreu i Gjykates Kushtetuese Bashkim Dedja, kreu i Gjykates se Larte Xhezair Zaganjori dhe zevendeskryetari i KLD-së, Elvis Çefa.

“Në këtë kuptim, të gjitha reformat ligjore apo kushtetuese, që i shërbejnë drejtësisë dhe njëkohësisht rritjes së besimit të publikut tek drejtësia, duhen inkurajuar dhe mbështetur”, tha Dedja.

“Në këtë kuadër, sigurisht ne kërkojmë që të thellohen reformat, të vazhdojnë reformat për të riparuar problemet dhe të metat që ndeshen në sistemin e drejtësisë, kërkohet bashkëpunimi më i ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Europian”, u shpreh Zaganjori.

“Çdo kontribut për t’i ndihmuar Gjykatat që t’ua bëjnë jetën më të lehtë njerëzve, të cilët përballen çdo ditë me to, do të përkrahet fuqishëm nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, tha Cefa.

Keto deklarata, u dhane ne nje takim te organizuar me rastin Dites Kombetare te Drejtesise, ne te cilen u bene bashke si çdo 10 maj emrat me te spikatur pergjate viteve ne fushen e drejtesise.

Top Channel