“Divjaka”, përplasjet e politikës

10/05/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp në orët e mbrëmjes së të shtunës deklaroi se rasti i avionit të Divjakës konfirmon akuzat e opozitës se qeveria është bërë palë në trafikun e lëndëve narkotike.

“Nuk është thjesht rasti që bëri transparencën e parë të madhe, që i dha publikut shqiptar provën për pushtimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët, pas asaj tokësore”, deklaroi Basha.

“Sot konfirmohen akuzat dhe shqetësimet që ka ngritur opozita në një betejë të vështirë, por të pakthyeshme. Sot, ata që me demek janë tallur dhe kanë qeshur me akuzat e PD, sot bashkë me avionin e drogës kanë kaluar çdo kufi mes narkotrafikantëve dhe qeverisë, sot ata kanë dalë para vendit dhe mbarë botës si një të vetëm”, tha kreu i PD.

Në emër të opozitës ai kërkoi zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve përballë drejtësisë, si dhe shprehu mbështjen e pakufizuar për ata që i cilësoi “punonjës të ndërgjegjshëm të agjencive ligjzbatuese”.

“Sot, bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe qeveria e mashtrimeve. Nuk ka rrotë apo mushkonjë ta shpëtojë nga gjykimi i drejtë i popullit”, përfundoi fjalën e tij kreu i demokratëve.

Rama dhe Berisha reagojnë në Facebook

Më herët kryeministri Edi Rama reagoi përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar operacionin e sotëm provë se Policia e Shtetit është në krye të detyrës.

“Operacioni i sotëm antidrogë, prova e fortë e radhës se shteti po ringrihet me shpejtësi e Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës”, shkroi kryeministri Rama në faqen e tij në Facebook.

Më herët ishte radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se avioni i bllokuar në Divjakë nuk u kap nga një operacion policie, por ra nga mbingarkesa.

“Kapet në Divjakë mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës! Avioni nuk është ndaluar nga Policia as dhe nga ndonjë operacion antidrogë, por bie nga mbingarkesa. Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës”, u shpreh ish-kryeministri.

Ai shkoi më tej me komentin e tij duke thënë: “Të dashur miq, e vërteta vonon por nuk harron. Dielli me shosh nuk mbulohet. Thuhet se avioni është nisur nga Rinasi me drogëra të forta dhe në Dijvake ka marrë ngarkesën (mbingarkesën) tjetër, me të cilën u rrëzua. Piloti është person me preçedentë kriminalë, por natyrisht me kontratë për ndarje fitimi me Ramën dhe suitën e tij”.

“Policia ka shkuar me dy orë vonesë. Klika Rama-Meta shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Qytetarë, regjimi punisto-mafioz po damkos dinjitetin tonë dhe të Shqipërisë”, vijoi Berisha.

PS: Dëshmia e goditjes së trafikut
Braçe: Prova e radhës e angazhimit të qeverisë kundër krimit

Deputeti socialist i Divjakës, Erjon Braçe, duke komentuar ngjarjen e avionit italian në bregdet deklaroi se ulja e tij dhe prania e automjetit me drogë në afërsi të vendit të ngjarjes ishte tërësisht e rastësishme. Në një lidhje telefonike me Top Channel, Braçe tha se ngjarja tregoi kapacitetet reaguese të strukturave shtetërore.

“S’ka lidhje fare mes deklaratave të opozitës dhe asaj që ka ndodhur sot. Ka të bëjë me faktin se Policia e Shtetit ka bërë tentativën e parë për të goditur trafikun e drogës në këtë formë. Ato ç’ka janë raportuar në media janë të pavërteta.

Avioni pasi ka humbur kontaktin me kullën e kontrollit dhe ajo që ka ndodhur më pas ka pasur të bëjë me reagimin e institucioneve të kontrollit të shtetit shqiptar. Është dhënë alarmi për të gjitha strukturat, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Policinë e Shtetit.

Është përcjellë alarmi, janë kontrolluar zonat dhe më pas çdo strukturë ka vepruar. Është e pavërtetë që policia ka qenë atje. Avioni ka qenë mbi territorin e Divjakës dhe nuk është ulur mbi fshatin Adriatik.

Policia ka mbërritur në brezin e rërës pak minuta pasi avioni është ulur. Pastaj ka vazhduar operacioni me arrestimin e shoferit të makinës me drogë. Ky avion, që nga shtatori 2013, deri në ditën e sotme nuk ka hyrë ndonjëherë në Shqipëri”, komentoi Braçe. 

Top Channel