Bashkëpunimi parlamentar, Meta në Bukuresht

10/05/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Meta tha se themelimi i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit parlamentar në rajon.

“Kjo asamble do të luajë një rol domethënës në mbështetje të Parlamenteve tona në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të “Aquis Communautaire”, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira”, u shpreh Meta.

Në fjalën e hapjes, presidenti i Dhomës së Deputetëve theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shteteve të Europës Juglindore në kontekstin e zhvillimeve në rajon.

Delegacionet parlamentare që marrin pjesë janë: Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Serbia, Turqia, Bosnjë dhe Herzegovina, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

Në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që po zhvillohet në Bukuresht, me kërkesë të palës shqiptare në seancën inauguruese mori pjesë si i ftuar special dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Top Channel