Vrau të atin, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

09/05/2014 00:00

Burgim i përjetshëm është dënimi që ka kërkuar Prokuroria për Krimet e
Rënda për Mirjan Çotën, i cili në janar të këtij viti vrau babanë e tij
në fshatin Togëz të Librazhdit.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një sherri banal mes djalit dhe babait, ndërkohë që autori ka pranuar krimin, duke përfituar kështu ulje të një të tretës së dënimit të kërkuar. Krimet e rënda kanë lexuar dje konkluzionet përfundimtare për këtë vrasje, duke kërkuar përfundimisht 35 vite burg për të pandehurin. Tashmë pritet vetëm vendimi i gjykatës.

Sipas dosjes penale në ngarkim të Mirjan Çotës, ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2014, rreth orëve të mesditës, kur ai dhe i ati Ferit Çota kanë qenë në banesë. Pas goditjes me thikë, mjet ky i cili ka qenë në shtëpinë e të pandehurit, Ferit Çota ka gjetur vdekjen për shkak të plagës së marrë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë nga ku është arritur të bëhet identifikimi dhe arrestimi i autorit të ngjarjes.

Në deklarimet e dhëna, i pandehuri Mirjan Çota ka shpjeguar se ka qenë në dhomën e tij në momentin që ka hyrë i ati, Ferit Çota, i cili i ka thënë të birit “më dogje shtëpinë”. Duke marrë shkas nga kjo, Çota ka deklaruar se e ka goditur të atin me një thikë. Megjithatë, sipas të pandehurit, kjo nuk ishte hera e parë që kishte grindje me të atin, pasi konfliktet familjare nuk kanë munguar edhe në të shkuarën.

Veç të pandehurit, sipas prokurorisë, është realizuar marrja në pyetje e shtetases Sh. Çota, komshi e familjes ku ndodhi krimi, e cila deklaron se ditën e ngjarjes ka dëgjuar ulërima në banesën e Ferit Çotës dhe ka shkuar atje për të parë se çfarë po ndodhte. Pasi ka shkuar në drejtim të kësaj shtëpie, ajo tregon se ka parë në oborrin e banesës Ferit Çotën, i cili i ka thënë që e kishte goditur djali i tij me thikë dhe ka kërkuar ndihmë. “Nga deklarimet e kësaj gruaje rezulton një element që ka ndihmuar në identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur”, ka deklaruar Prokuroria për Krimet e Rënda. Kjo grua ka treguar se kanë qenë edhe persona të tjerë të pranishëm, të cilët kanë ardhur menjëherë, pasi dhe ata kanë dëgjuar ulërima dhe konkretisht shtetasit D. Çota dhe H. Çota, të cilët janë marrë në pyetje dhe kanë dhënë deklarimet e tyre në raport me ngjarjen, duke konfirmuar dhe provuar si faktin kriminal ashtu dhe autorësinë e këtij fakti kriminal.

Në këto kushte, prokuroria ka kërkuar deklarimin fajtor të Mirjan Çotës dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Por, sipas prokurorisë, i pandehuri ka pranuar gjykim të shkurtuar, kështu që në bazë të Kodit të Procedurës Penale është kërkuar dënimi përfundimtar me 35 vjet burg.

Top Channel