9 Majin, ditën  e Europës, Kryeministri Edi Rama e ktheu në një ditë
falenderimi për veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare, përmes një
pritje në Kryeministri. “Eshtë koha- deklaroi Rama – që kjo luftë të
përcjellë vetëm mesazhin e paqes, dhe jo të keqkuptimeve që sipas tij
bëhen qëllimisht”.

Në këndvështrimin e kreut të ekzekutivit shqiptar, kush denigron luftën çlimitare, bën një akt të ulët publik.

“Në jo pak raste, njerëz apo grupime të caktuara, në vend që të bëjnë luftën e tyre me armët e paqes, për Shqipërinë sotme dhe të nesërme, bëjnë gjithçka munden që të mbajnë gjallë duke ushqyer në forma nga më të papranueshmet konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë në funksion thjesht dhe vetëm të pushtetit. Denigrimi i papërgjegjshëm i luftës është vërtet një akt i ulët publik, që gjen hapësirë për t’u shfaqur e rishfaqur në veprim, thjesht dhe vetëm në funksion interesash, që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin real”, tha Rama.

Në një kohë kur opozita ka komentuar politikisht kremtimin e 5 Majit, duke akuzuar per revokim te figures se Enver Hoxhes, Kryeministri Rama e vuri theksin në refuzimin nga ana e Qeverisë, të çdo përpjekjeje për keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

“Qeveria jonë do të bëjë të gjitha përpjekjet, që duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të luftës, jo si një faqe e lavdishme e të shkuarës, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen, të refuzojë me vendosmëri çdo përpjekje për keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste, nga çfarëdo ane që ajo vjen”, theksoi Rama.

Në kuadër të Ditës së Europës Ministria e Integrimit organizoi një sërë aktivitesh. Ambasadat europiane në Tiranë ishin munduar ta sillnin Europën më pranë Tiranës, përmes kulturës dhe ushqimeve të vendeve të tyre.

Sipas Kryeministrit Edi Rama, procesi i integrimit europian në të gjithë Ballkanin ka luajtur një rol të rëndësishëm.

“Unë besoj që kjo histori duhet të jetë një histori, që duhet ta shkruajmë së bashku dhe atë që Ballkani bëri në emër të Europës, Europa do ta bëjë ne emër të Ballkanit. Në kohën që jetojmë, sa më shumë integrim për Shqipërinë dhe Ballkanin është aq më shumë siguri për projektin e Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Për ta cuar më përpara prioritetin kombëtar të integrimit tha ministria Gjoshaj duhet përpjekje e të gjithëve.

“Simbolika që mbart dita e Europës, përvec festimeve, duhet të na bëjë gjithashtu të reflektojmë se BE, u krijua mbi një princip të rëndësishëm që është bashkimi. Qënia pjesë e familjes së madhe europiane nuk mund të bëhet e vetme. Edhe vullneti më i konsoliduar politik do të ishte i pamjaftueshëm, pa angazhimin e shoqërisë dhe pa pjesëmarrjen e secilit prej nesh”, u shpreh Gjoshaj.

Top Channel