Në pikën kufitare të Kukesit është regjistruar fluks i lartë i shtetasve të Kosoves të cilët duan të vijnë në Shqipëri për pushime. Autoritetet policore thonë se kanë punuar me kapacitet të plotë me 7 sportele, por sërish ka mjaft radhë dhe pritje.

“Nuk është në rregull kjo pritje, në dy anët shqiptare. Kemi pritur 1 orë, kjo nuk është aspak normale”, u ankua një udhëtar.

Një ditë më parë në këtë pikë të kalimit kufitar u takuan drejtuesit e doganave të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët diskutuan për uljen e kohës së përpunimit të dokumentave.

“Nëse një importuesi nga Shqipëria për Kosovë i duhet 2 ditë për ta bërë proçedurën, ne kemi punuar për ta bërë atë për 5 minuta. Është një lehtësim dhe një arritje e madhe për ne”, deklaroi Elisa Spiropali.

“Është një zhvillim shumë i madh dhe një ndihmesë shumë e madhe për bizneset në dy anët e kufirit”, vlerësoi nga ana tjetër Lulëzim Rafuna.

Kapshticë, refuzohet hyrja në Greqi

Autoritetet greke kërkojnë garanci financiare

Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, autoritetet greke po kthejnë pas shumë persona që kërkojnë të hyjnë në shtetin grek.

Një nga kërkesat e bëra nga pala greke, të cilën të kthyerit nuk e plotësojnë, është sasia e parave që marrin me vete.

“Na kërkuan garancinë, 5 mijë euro. Ku t’i gjej unë 5 mijë euro?”, protestoi një udhëtar.

“Nuk na lanë të kalonim. Ka njerëz që flenë jashtë prej 4 ditësh. Nuk ka vend as në hotele”, u shpreh një tjetër.

Top Channel