Më shumë se 5 mijë banorë të fshatit Shalës në rrethin e Elbasanit vuajnë për ujin e pijshëm. Në këtë zonë, në 10 vitet e fundit ka probleme me furnizimin dhe në cilësinë e ujit të pijshëm por, sipas banorëve, sitata ka degraduar edhe më tepër në këto 2 vite.

Furnizimi me ujë bëhet me orare të reduktuara. Banorët shprehen se nuk kanë më shumë se 30 minuta ujë në 24 orë, por sipas tyre e keqja më e madhe është cilësia, pasi uji që vjen në rubineta ka rezultuar i pakonsumueshëm për shkak të ndotjes së lartë.

“E mbushim nga shirat, po ra se po s’ra mbetemi pa ujë. Vjen uji dhe nuk mbushet dot as një nga këto fuçitë. Rreth 30 minuta ujë më vjen mua këtu. Shkoj një herë në 3 ditë e mbush ujë me karrocë e gomar andej”, shprehet një fshatar i zonës.

“Uji vjen për aq sa vjen, por është i pakonsumueshëm. Edhe doktorët thonë mos e pini ujin. E blejmë ujin te dyqani këtu pranë. 9 mijë paguaj për ujin e blerë dhe 9 mijë më vjen fatura e ujit në muaj, vetëm 2 veta jam”, shprehet një tjetër banor.

“Uji vjen për vetëm 15 minuta në mëngjes. Tatohemi me 9 mijë lek në muaj, ndërkohë që edhe me sahat po të ishim nuk do harxhonim aq. E blejmë me bidona, sepse edhe aq pak ujë sa vjen nuk pihet. Ndërmarrja na thotë me detyrim. Nëse e do mirë, nëse nuk e do prite furnizimin”, tregon tjetri.

Banorët e fshatit Shalës shprehen se e paguajnë rregullisht faturat e ujit të pijshëm, e megjithatë janë të detyruar të blejnë ujë për të jetuar, pasi uji nëpër rubineta vjen i ndotur. Sipas banorëve, uji po u shkakton probleme edhe në lëkurë, pasi është i papërdorshëm edhe për larje.

Top Channel