Takimin e fundit në Selanik pas  pjesëmarrjes së tij në Ministeralin e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë qytet, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka zhvilluar me përfaqësuesit e shoqatave të emigranteve shqiptarë të Selanikut dhe të qyteteve të tjera nga veriu i Greqisë e deri në Kretë.

Në një sallë të konsullatës shqiptare të qytetit të dytë më të madh të Greqisë, i shoqëruar nga Ambasadori Dashnor Dervishi dhe Konsulli i Përgjithshëm në Selanik Riza Poda, Bushati pasi ka dëgjuar gjithë problemet që përballojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar u ka thënë atyre se qeveria e re shqiptare në pak muaj të funksionimit të saj ka prioritet të parë gjithë gamën e cështjeve që varen nga Tirana zyrtare.

Tetë ministra shqiptarë kanë vizituar Athinën në këto pak muaj, gjashtë takime janë bërë me homologun Venizellos dhe një me Presidentin Papulias. Por sic ka theksuar ai, zgjidhja e tyre nuk mund të jetë e njëanëshme.
“Tangoja do dy vetë në mënyrë që të kërcehet”, tha shkurtimisht Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Bushati ka sqaruar bashkatdhetarët se si ka zgjidhur dhe po zgjidh qeveria shqiptare cështjet si njohjen e viteve të punës, të njohjes së patentave shqiptare, të vulës Apostile, rishikimin e librave të historisë, cështjen e linjave të autobusëve midis dy vendeve, të shkollave shqipe dhe të programeve për mësimin e gjuhës amtare në sistemin grek të arsimit.

Përsa i përket cështjes kaq të mprehtë të toponimeve ai ka sqaruar edhe njëherë se së shpejti do të jenë zgjidhur edhe ato pak pengesa teknike për të cilat këmbëngul pala greke.  

“Është një cështje të cilën ne e kemi konsideruar që në fillim një cështje teknike. Nuk është një cështje e rregulluar plotësisht nga kuadri ligjor ndërkombëtar. Vetë Greqia nuk e ka zgjidhur këtë gjë në nivel dy-palësh as me vendet fqinje që ka në mënyrë të përkufizuar. Ndaj mirëkuptimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë besoj që jemi më afër zgjidhjes se asnjëherë tjetër. Por duhet prap punë për të shkuar tek zgjidhja finale”, tha ministri Bushati.

Duke përmendur kryetarin e Bashkisë së Selanikut me të cilin ka pasur edhe një takim të vecantë,Bushati ka theksuar se si duhet marrë shembulli i tij në bashkinë e këtij qyteti për kapërcimin e pengesave të toponimeve në dokumentat e shtetasve shqiptarë.

“Shkëmbimi sistematik i mendimeve që kemi edhe nëpërmjet Konsullit të Përgjithshëm Poda, por edhe vecanërisht me vizitën që na nderoi tani Ministri i Jashtëm shqiptar, ndihmojnë jashtëzakonisht në përmirësimin e përditshëm të kësaj gjendjeje”, thotë Jannis Boutaris, kryebashkiak i Selanikut.

“Gjeta rastin ta falenderoja për nxitjen që i ka bërë publikisht dhe politikisht zgjidhjes praktike sa i përket cështjes së toponimeve. Kryetari i Bashkisë ka qenë në pararojë të dy qeverive tona me zgjidhjen praktike dhe kjo është një vlerë e shtuar për njerëzit që shërbejnë njësitë e qeverisjes vendore që janë më afër qytetarit dhe një hap para nesh në adresimin e zgjidhjeve”, deklaroi  Bushati.

Ministri Bushati ka falendaruar gjithashtu zotin Butari për ndihmën që i jep komunitetit shqiptar dhe kontributin e tij për hapjen e një shkolle shqipe me mbështetjen e bashkisë që ai drejton.

Top Channel