Pronat, negociata me Strasburgun

08/05/2014 00:00

Kur afati i fundit i caktuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pronave është vetëm një muaj nga fundi, avokatura e shtetit po përgatit dokumentacionin për të kërkuar shtyrjen e tij pas datës 17 qershor. Ky fakt konfirmohet nga zv.ministri i Drejtësisë Idlir Peçi, në një intervistë për Top Channel.

“Ne do kërkojmë shtyrjen e afatit për aq sa është plani i veprimit, qershor 2015. Por edhe atëherë nuk është se mbaron kompensimi. Ne synojmë që atëherë të fillojë një proces transparent që t’i japë fund problemit, që ka nisur e s’ka mbaruar asnjëherë”, deklaron Peçi.

Por çfarë parashikon plan-veprimi i qeverisë? “Ky plan ka piketë të parë inventarizimin e gjendjes aktuale, pa skanimin e të cilës ne nuk mund të kemi një ide të qartë se si t’i japim zgjidhje problemit. Të nxirren faturat e kompensimit, të gjejmë sa u kemi borxh qytetarëve. Piketë është dhe një reformë 1-vjeçare, me hapa konkretë ligjorë e institucionalë. Ligji aktual krijon paqartësi, prandaj qytetarët shkojnë në Strasburg”, saktëson Peçi.

Për shkak preçedentit të ngjashëm me çështjen e pronave parashikohet që të zbatohet e njëjta formulë si në Rumani. “Vetë shteti ynë i ka kërkuar gjykatës së Strasburgut që të reagojë. Kjo tregon që ka problem sistemi. Të njëjtën rrugë me atë të Rumanisë mund të ndjekim dhe ne dhe të jemi të sigurt se do t’ia arrijmë të shtyjmë afatin”, nënvizon Peçi.

Ndërkohë që për penalizimin më të fundit prej 8 milionë eurosh të vendosur nga Gjykata e Strasburgut, zv.ministri i Drejtësisë shton se i takon Ministrisë së Financave të ekzekutojë vendimin brenda afatit tremujor.

Ndërkohë që për 60 çështje të ngjashme të kthyera nga Strasburgu, për të cilat i kërkohet Shqipërisë që të ofrojë propozimin e saj për zgjidhje përpara se të dalë me vendim, zoti Peçi shprehet se po negociohet me palët. “Për shkak të dokumentacionit të negociatave nuk mund të shprehem, por të gjitha opsionet janë në tryezë”, shtoi numri dy i Drejtësisë.

Top Channel