Paketë fiskale edhe për bujqësinë

08/05/2014 00:00

Pas industrisë së fasonit, Qeveria është duke përgatitur një paketë të posaçme mbështetje edhe për sektorin e bujqësisë.

“Modeli i zhvillimit të paketës ligjore për sektorin e fasonëve është model, i cili rezultoi të ishte i suksesshëm dhe pikërisht ky model do të synohet të ripërsëritet, por tashmë ndoshta dhe i zhvilluar më tej, për të hartuar një paketë të plotë”, thotë Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë.

Paketa u jep trajtim të privilegjuar bizneseve që eksportojnë prodhime bujqësore nga doganat, tatimet por edhe agjencitë e tjera shtetërore, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.

“Para së gjithash do të jetë një paketë, që të heqë pengesat, barrierat, burokracitë, qofshin këto kohore, qofshin këto financiare për biznesin, për të lehtësuar të gjithë procesin e prodhimit dhe eksportit të produkteve”, thotë Zusi.

Por paralelisht ajo do të ketë edhe lehtësira tatimore, që nga rimbursimi i shpejte i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe deri tek nxitësit e drejtpërdejtë fiskalë.

“Do të shihet edhe paketa fiskale, sic janë problemet me TVSH-në, problemet e blerjeve të përjashtuara, për kategorinë e eksportuesve dhe më pas për të parë se cilat janë nxitësit e nevojshëm, të cilët mund të kenë edhe një kosto të caktuar financiare, të cilët do të shërbejnë për programimin e ardhshëm të të gjithë politikave të zhvillimit bujqësor”, tha Zusi.

Bilanci tregtar i bujqësisë ka shënuar një përmirësim të fortë vitet e fundit. Raporti import-eksporte ka rënë nga 12 me 1 që ishte në vitet 2000 në 6 me 1 vitin e kaluar. Ndërkohë që rritja e eksporteve bujqësorë ka vazhduar edhe në tre muajt e parë të këtij viti, përkatësisht me 27 për qind krahasuar vitin e kaluar.

Top Channel