Korçë, prokuroria, në pyetje drejtoreshën e sigurimeve

07/05/2014 00:00

Vetëvrasja e ish-punonjëses së sigurimeve shoqërore në Korçë, Brunilda Meka, ka çuar në prokurori drejtoreshën e viktimës.

Drejtoresha rajonale e sigurimeve shoqërore në Korçë, Ana Verushi, është thirrur nga organi i akuzës në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, duke marrë shkas nga kallëzimi i burrit të Brunilda Mekës, i cili ka kërkuar të nxirren përgjegjësit që dërguan të shoqen drejt aktit të vetëflijimit.

Thirrja e Verushit në prokurori bëhet e ditur nga burimet pranë organit të akuzës në Korçë, nga të cilët mësohet se ajo është marrë në pyetje për disa minuta. Dy herë radhazi, Ana Verushi ka dhënë shpjegime para prokurorit të çështjes në lidhje me marrëdhëniet e punës së 52-vjeçares Brunilda Meka dhe urdhrin për transferimin e saj në një funksion tjetër. Sipas Prokurorisë së Korçës, Verushi nuk është e akuzuar, por është marrë në pyetje dhe ka dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Në prokurori priten të japin deklarime për ngjarjen bashkëshorti i Mekës dhe familjarë të tjerë. Më pas, prokuroria do të vendosë nëse do të marrë ndonjë person nën akuzë për shkaktim vetëvrasjeje apo çështja do të pushohet.

Sipas të dhënave, bashkëshorti i viktimës, Driton Meka, ka kallëzuar pranë prokurorisë se gruaja e tij ka vrarë veten, duke shpjeguar se e ka ndërmarrë këtë akt për shkak të padrejtësisë për transferimin e saj nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Korçë në një funksion tjetër në Komunën Mollas të këtij qarku. Pikërisht për këtë arsye, ai ka kërkuar që të merren nën hetim drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë, Ana Verushi, si dhe shefi i personelit të këtij institucioni, Fatos Zhurka. Vetë bashkëshorti i Brunilda Mekës kishte deklaruar se do të kërkonte ndjekje penale për personat përgjegjës që çuan në gjendje depresioni gruan e tij, duke kryer aktin e vetëvrasjes.

Gruaja 52-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, me një përvojë afro 20-vjeçare në degën e sigurimeve shoqërore në Korçë ka lënë edhe një letër lamtumire, ku sqaronte se përse ndërmori aktin fatal të vetëhelmimit. Brunilda Meka, në ditët kur u njoh me vendimin për transferim nga puna ka pësuar tronditje shëndetësore dhe për këtë ishte pajisur me një raport mjekësor. Duke marrë shkas nga këto informacione, prokuroria do të verifikojë nëse rasti lidhet me një shkaktim vetëvrasjeje.

Për vetëvrasjen e punonjëses pati edhe përplasje politike, ndërkohë që në qytetin e Korçës u organizua një protestë homazh nga shoqata e të larguarve nga administrata publike. Fillimisht ishte Partia Demokratike që akuzoi mazhorancën për veprime të tilla dhe më pas reagoi PS-ja, duke deklaruar se Brunilda Meka nuk ishte larguar nga detyra. Megjithatë, pas këtyre deklaratave, nga verifikimet e kryera rezultoi se ajo nuk ishte larguar nga detyra, por ishte transferuar në një zonë më të thellë pa asnjë lloj justifikimi. Ndërkohë, drejtoresha rajonale e sigurimeve shoqërore, para se të dalin këto fakte deklaroi në media se ajo vazhdonte të ishte punonjëse e DRSSH-së Korçë, por kishte paraqitur një raport mjekësor dhe kishte marrë leje për disa ditë.

Top Channel