Komisioni hetimor për policinë

07/05/2014 00:00

Deputetët socialistë u larguan nga komisioni hetimor për shkarkimet dhe emërimet në polici, pasi në rendin e ditës nuk ishte lënë leximi i raportit përfundimtar.

Kreu i komisionit, Arben Ristani tha se, kuorumi i nevojshëm nuk mund të lejonte vazhdimin e mbledhjes, por ai publikoi një video të drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Artan Didi, në një aksion në rastin e pengmarrjes së autobusit grek, ngjarje e ndodhur pak kilometra nga Elbasani më 28 prill të vitit 1999.

Ristani akuzoi drejtorin e përgjithshëm Didi, se ka vrarë njerëz të pafajshëm. “Kemi të bëjmë me një mendësi kriminale, që vjen nga ky rast, tek rasti i fundit me shprehjen ‘bravo çuna!’, ku ekzekutohen njerëz pa gjyq”, tha Ristani.

Por Taulant Balla, i cili reagoi jashtë kësaj salle, tha se kjo i rrit vlerat drejtorit Didi. “Përkundrazi, jo vetëm që nuk ul, që nuk flet keq për punën e punonjësit të shtetit shqiptar Artan Didi, por është një provë më shumë për një punonjës të shkëlqyer të Policisë së Shtetit që ka vënë jetën në rrezik, në përpjekjet me elementë kriminalë. I ftoj deputetët e Partisë Demokratike, që ta përdorin përsëri në kundërshtim me rregulloren. Por nuk prish punë! Sallat e Kuvendit transmetojnë edhe një video tjetër, ku zoti Didi është në përpjekje edhe me elementë kriminalë, të grupeve terroriste si Al Kaeda, këtu në Tiranë, për të cilën është dekoruar nga Presidenti i Republikës”, u shpreh Balla.

Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike ka publikuar edhe një material ku akuzon disa drejtues të lartë të policisë për lidjhe me krimin. Për një pjesë të tyre, Xhevahir Karajn, Neritan Allbatin, Xhovalin Loken, Sokol Çelën e të tjerë, ata i referohen një materili të SHKB-së të vitit 2004, sipas të cilit ata u shkarkuan nga detyra.

Për këtë material mazhoranca tha se, gjykatat i kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e SHKB-së kohë më parë. Ndërsa për disa drejtues të tjerë, drejtorin e Durresit, Perlat Çullhaj, drejtorin e qarkullimit rrugor Ervin Dervishin e të tjerë, ata i akuzojnë për korrupsion në bazë edhe të vendimeve të marra më parë nga Policia e Shtetit.

Ndërsa mazhoranca, ashtu siç kishte deklaruar më parë, nxorri edhe raportin përfundimtar. Në këtë raport ajo ka dalë në përfundimin se pretendimet se ka shkelje në emërimet dhe shkarkimet e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit nuk qëndrojnë.

Ata shprehen se, akuzuesit që pretendojnë se ka shkelje të emërimeve të nëndrejtorëve të përgjithshëm të policisë, si edhe drejtorit të përgjithshëm Didi, “më parë duhet të ngrenë akuzë për ish-ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, që ka emëruar tre ish-nëndrejtorët Agron Kulicaj, Dashamir Maçi dhe Anila Hoxha në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit”.

Top Channel