Duke qenë se edhe prokurori i çështjes ishte dakord me kërkesën e të pandehurve Gjergji Thimio dhe Arben Spaho, gjykata penale vendosi gjykimin e shkurtuar për dy të akuzuarit për vjedhje në bashkëpunim të veprave të artit.

Sipas prokurorit Karanxha, ka dyshime se një pjesë e konsiderueshme e objekteve të zbuluara në banesën e koleksionistit Thimio janë marrë nga kisha të ndryshme, ndërkohë që në referim të një akti ekspertimi, nga 466 vepra të sekuestruara vetëm 32 prej tyre nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Koleksionisti Gjergji Thimio akuzoi deputetin socialsit Koço Kokëdhima dhe kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij, ai u arrestua vetëm dy javë pasi i refuzoi Kokëdhimës kërkesën për një vepër arti.

Më konkretisht, tha Gjergji Thimio, Kokëdhima më kërkoi që t’i dhuroja kryeministrit ikonën e Onufrit që ka vlerën e 1 milion eurove, e që sipas të pandehurit Rama donte t’ia dhuronte ish-kryeministrit britanik Tony Blair.

Edhe në lidhje me aksionin e sekuestrimit të dhjetëra ikonave në banesë dhe ekspozimit të tyre, koleksionisti tha se kryeministri dhe ministri i Brendshëm bënë një shoë mediatik për të njollosur emrin e tij.

Duke vijuar me akuza, i pandehuri lëshoi kritika edhe ndaj prokurorisë për hetime të paplota dhe për fshehje provash, pasi sipas tij, ai i kishte dorëzuar mesazhet telefonike të shkëmbyera me Koço Kokëdhimën, mes tyre edhe kërcënimet e deputetit ku i thoshte se, do gjente mënyra të tjera për t’ia marrë veprat e artit.

I pandehuri akuzoi edhe policinë, pasi sipas tij, në banesë i janë gjetur 3 mijë vepra arti të cilat sipas tij nuk ekzistojnë në asnjë nga procesverbalet e këqyrjes në vendngjarje. Pas dy javëve, prokuria do të dalë me qëndrimin e saj përfundimtar se sa dënim do të kërkojë për dy të akuzuarit Thimio dhe Spaho.

Top Channel