Shkarkimet, Harito: Shifrat e opozitës, jo reale

06/05/2014 00:00

Milena Harito, ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike është
përballur me një mori me pyetje nga deputetët e opozitës për shkarkimet
nga puna në administratën publike, gjatë një seance dëgjimore në
Komisionin Parlamentar të Integrimit.

Zonja Harito ka kundërshtuar pretendimet e deputetëve te opozitës, se ne partinë Demokratike, kanë ardhur 3 400 ankime për pushime nga puna dhe se opozita beson se ky numër shkon në 7 mijë.

“E vetmja shifër zyrtare që kemi sot për të gjithe administratën publike është shifra që vjen nga Gjykata Administrative. Janë rreth 1200 ankime,  flasim për të gjithë administratën. Për çështjet e gjykuara deri më sot, dy të tretat i ka fituar shteti, pra nuk ka asnjë shkelje”, u shpreh Harito.

Deputetja socialiste Arta Dade e pyeti ministren Harito, nëse janë rikthyer në punë ata persona që disa vite më parë kanë fituar gjyqet dhe Harito tha se shembulli më i keq është Bashkia e Tiranës, ndaj të cilës 120 persona kanë fituar gjyqet, por nuk janë rikthyer në punë.

“Në konkurset tona që nga nëntori, pas miratimit të strukturave ka patur 15-29 kandidatë. Kur ka kaq shumë kandidatë është e vështirë të parazgjedhësh militantin. Këtë gjë e kemi bërë duke mbajtur koston politike. Ne kemi mbajtur peshë të madhe politike, pikërisht që të mos shkonim në atë rrugë që keni bërë ju”, sqaroi Harito.

Ndërsa, deputetja demokrate Albana Vokshi ngriti shqetësimin për largimin nga puna të grave kryefamiljave dhe kategorisë së personave nga ish të përndjekurit politikë.  

Top Channel