Paketa për fasonët, ekspertët: Pozitive, por…

06/05/2014 00:00

Ekspertët thonë se paketa nxitëse për fasonët është një hap pozitiv që ndihmon ekonominë në situatën e vështirë ku ndodhet.

“Çdo nismë që synon që të rigjallërojë aktivitetin ekonomik në vend, duhet përshëndetur dhe në këtë drejtim padyshim që edhe nisma e ndërmarrë për mbështetjen e këtij sektori, që është relativisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, patjetër që do të ketë efekte pozitive në ekonomi”, thotë Ilir Ciko, ekspert ekonomie.

Por, Zef Preçi është skeptik nëse kjo masë mund të ketë përfitime në afat të gjatë për ekonominë.

“Shqipëria nuk është se ofron në kushtet e sotme, plantacione pambaku, përshembull, që mund të prodhonin me kosto të lirë lëndën e parë. E njëjta gjë sa i takon industrinë e këpucëve apo të veshjeve. Pra, në këtë kuptim është shumë e diskutueshme çfarë pasojash krijon në planin afatgjatë”, tha Preçi.

Industria e fasonit jep 40% të eksporteve shqiptare dhe punëson shtresat më të varfëra të popullsisë, ata që në tregun e punës nuk kanë shanse të tjera. Por, për shkak të produktivitetit të ulët, pagat janë minimale dhe vlera e shtuar në ekonomi është gati e papërfillshme. Për këtë arsye, fokusimi tek ky sektor mund të ketë edhe një rrezik të madh.

“Vendi të mbetet i pazhvilluar pikërisht për këtë shkak, pra ai avantazhi i përkohshëm i një apo pesë viteve të ardhshme mund të shndërrohet në një pengesë dhe të kontribuojë negativisht në përiudhat që vijnë”, thotë Preçi.

Por, Ilir Ciko mendon se industria mund t’i sjellë më shumë përfitime ekonomisë nëse specializohet në produkte të caktuara dhe zgjerohet në tregje të reja si Anglia, Franca, Spanja apo dhe SHBA.

“Do të ishte tepër e mençur që në këtë fazë për një promovim të mëtejshëm të këtij sektori, nëpërmjet një roli aktiv edhe të diplomacisë në këto vende, por edhe të vetë strukturave shtetërore”, tha Ciko.

Sipas tij, nëse plotësohen këto kushte industria, mund të ketë të ardhme dhe të ecë paralel me zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qënia pranë tregjeve europiane, kuptimi më i mirë i nevojave dhe kërkesave të tregut europian, afërsia gjeografike, por pse jo edhe shfrytëzimi i pikërisht asaj, i të qenurit vend i vogël, mund të shihet si një avantazh, i cili mund të përdoret më tej për këtë sektor në të ardhmen”, tha Ciko.

Pak ditë më parë Qeveria prezantoi një paketë të gjerë masash mbështëse për industrinë e fasonit, me lehtësira burokratike, por edhe stimuj fiskalë, e para e këtij lloji që i shkon një sektori të vetëm.  

Top Channel