Viti 2012 rriti varfërinë në Shqipëri

05/05/2014 00:00

Ngadalësimi i fortë i ekonomisë në vitin 2012 e ka kthyer Shqipërinë 6 vjet pas në luftën kundër varfërisë.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se vetëm në këtë vit, pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë u rrit me rreth 4.5 pikë përqindje. Kjo e ka çuar peshën e shqiptarëve që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë nga 43 për qind që ishte në 2011 në 47.5 për qind një vit më vonë.

Kërcimi në këto nivele i popullsisë që jeton në kushte mbijetese ka fshirë brenda një viti të vetëm përmirësimin që ishte arritur për 6 vjet në zbutjen e varfërisë, pasi për herë të fundit Shqipëria e ka patur treguesin në këto nivele në vitin 2006.

Por shqetësimi më i madh i ekspertëve është se shifra mund të jetë përkeqësuar edhe më fort në vitin 2013, kur ekonomia gati ra në stanjacion me rritjen e prodhimit që ceku minimumin historik 0.44 për qind.

Rreziku është që ky ngadalësim mund të ketë përkeqësuar jetesën e mijëra familjeve të tjera duke i zhytur ato në kufijtë e skamjes. Kjo edhe për një arsye tjetër, pasi Shqipëria është vendi më i kërcënuar nga varfëria në Ballkan. Të dhënat tregojnë se ajo ka përqindjen më të madhe të popullsisë, gati gjysmën e saj, që jeton në kushte mbijetese më më pak se 5 dollarë ditë. Vendet e tjera e kanë këtë tregues, sipas Bankës Botërore, nga 4.5 në 35 për qind. Kjo bën që edhe një ngadalësim i vogël në ritmet e rritjes ekonomike të ketë efekte të forta sociale, në kushtet kur vendet e tjera duken më të mbrojtura.

Top Channel