Rokanas: Statusi brenda qershorit

05/05/2014 00:00

I pranishëm në Gjirokastër për të vizituar krahina të banura prej
minoritetit grek në Dropull e Pogon ambasadori grek, Leonidas Rokanas
është takuar të hënën me krerë lokalë ku ka shprehur interesin e tij dhe
të Greqisë për shkëmbime të mëtejshme në fushën e turizmit, kulturës
dhe sektorin akademik.

Duke komentuar çështjen e toponimeve Rokanas tha se ka gjetur vullnet të mjaftueshëm tek pala shqiptare që mund ti japë zgjidhje kësaj cështjeje.

“Ne kemi aktualisht një nivel të shkëlqyer marrëdhëniesh. Shkëmbimet e vizitave të fundit në nivele shumë të larta dhe dialogu i hapur mbi shumë çështje përfshi edhe atë të toponimeve na bëjnë ne optimist se ekziston vullnet për ta zgjidhur. Popujt tanë ndajnë një miqësi dhe marrëdhënie historike vëllazërore që reflektohet lehtësisht në cështjet e përditshme. Komuniteti shqiptar në Greqi dhe ai grek në Shqipëri janë ura bashkëpunimi që gjithnjë kanë qenë faktorë”, tha Rokanas.

Duke folur për marrjen e statusit të vendit kandidat i shumëdiskutuar për  Shqipërinë Rokanas u shpreh se shpreson që kjo të ndodhë gjatë presidencës greke pasi Shqipëria sipas tij gjendet në rrugën e duhur.

“Ne besojmë se Shqipëria ka bërë shumë përpjekje për ta merituar statusin. Marrja e tij do të jetë edhe një prej prioriteteve të Greqisë që mban presidencën e rradhës në kohën kur kjo cështje do të ridiskutohet. Ka ende punë për tu bërë deri në qershor por Shqipëria ka shumë miq dhe qeveria ka treguar predispozicionin e duhur për këtë anëtarësim. Progresi dhe përpjekjet na bëjne ne të gjithë optimistë për vendimin”, tha Rokanas.

 Rokanas është takuar gjatë vizitës së tij në Gjirokastër me përfaqësues të fushës akademike në Universitetin “Eqrem Çabej” ku janë evidentuar arritje prej shkembimeve dypalëshe dhe projekte të së ardhmes.

Top Channel