“Braçe ka qenë dhe do të mbetet ky që është”, Rama toleron senatorin socialist dhe flet për Spiropalin: Kush thotë hajde më vrit, të do Megjithë debatin e pashteruar ende për kontributin dhe raportin me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, tre ishin forcat pjesë e asaj lufte. Komunistët, Legaliteti dhe Balli.
Megjithëse të treja ideologjitë janë sot të përfaqësuara me parti politike, asnjë prej tyre nuk ishte pjesë e përkujtimit të dëshmorëve as këtë 5 maj.
Përfaqësues të Partisë Komuniste për shkak të identifikimit të tyre me figurën e Enver Hoxhës dhe pankartave me foton e diktatorit nuk mundën të ishin pjesë e ceremonive zyrtare. Ndërsa Legaliteti dhe Balli refuzojnë të jenë pjesë e përkujtimit të kësaj dite.
Madje, legalistët hedhin edhe propozimin e ndryshimit të Ditës së Dëshmorëve, pasi kreu i tyre, Adriatik Alimadhi thotë se 5 maji është dita kur ka vrarë, sipas tij, një komunist që ai ngre edhe pikëpyetjen nëse e vranë apo është vrarë, dhe si e tillë thotë ai nuk është përfaqësuese.
“Madje të hiqet edhe titulli “dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare”, por të jetë vetëm “dëshmor i kombit”. Ne bashkohemi me të gjithë dëshmorët që kanë bërë luftë me pushtuesin, por asgjë të përzierë me gjak shqiptari, 4 mijë deri në 6 mijë shqiptarë vranë komunistët”, deklaroi Alimadhi.
Të njëjtin raport ka edhe Balli Kombëtar me Luftën Nacional Çlirimtare. “Sigurisht që duhen përkujtuar dëshmorët. Por cilët dëshmorë? Ata që nderohen sot zëvendësuan heronjtë e vërtetë, ata që luftuan për vendin dhe bashkimin kombëtar, dhe ne nuk kemi pse të bashkohemi me ta”, deklaroi Sulejman Gjana, kryetar i Partisë së Ballit Kombëtar.
Pavarësisht se cili është qëndrimi për luftën, të gjithë ata që pretendojnë se trashëgojnë ideologjinë e forcave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, thonë se nevojitet rishikimi dhe rishkrimi i historisë.
Ndërsa forcat kryesore politike sot në vend, megjithëse në ceremoni të ndara, bashkohen në përkujtimin e dëshmorëve të atdheut.
Top Channel