Projektet për sipërmarrësit italianë

05/05/2014 00:00

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në fushën e energjisë, duke u ndalur në disa projekte mes të cilëve atij të Skavicës.

“Janë edhe disa projekte të tjera që ne po punojmë, siç është projekti i Skavicës, ku ne po mendojmë të dalim me një partneritet publik-privat, ku edhe KESH-i të mbulojë një pjesë të investimit, për shkak se ky projekt shtrihet në atë kaskadën tonë strategjike dhe shërben si një rregullator shumë i mirë i kaskadës. Por nga ana tjetër krijon edhe mundësi shumë të mira për investitorët privatë edhe në këtë projekt gjigand”, deklaroi Gjiknuri.

Për të rritur garancinë e sipërmarrësve në fushën e energjisë, qeveria po investon në linjat e interkonjeksionit si ajo me Kosovën, që përfundon pas dy vitesh, apo linja me Maqedoninë. Ministri Gjiknuri tha se paralelisht më këtë po punohet për projektin e linjës së interkonjeksionit me Italinë.

“Projekt i mbetur në letër fatkeqësisht tani ka qenë dhe projekti për të lidhur Shqipërinë me Italinë. Shumë do ta dëshironin, shumë nga investitorët tuaj që kanë investuar do të dëshironin një lidhje të tillë. Ne i kemi intensifikuar përpjekjet me autoritetet italiane. Nuk është një projekt i thjeshtë, por në perspektivën tonë ai është i qartë dhe them që do të jetë një nga arritjet më të mëdha sikur Shqipëria të lidhej më një linjë direkte me Bashkimin Evropian. Kjo patjetër do të thotë mundësi më të mëdha si për investitorët italianë, si për çdo investitor tjetër, por njëkohësisht për këmbimin e energjisë me Bashkimin Evropian”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i grupit të deputetëve për thithjen e investimeve italiane në Shqipëri, Artan Gaci prezantoi disa projekte konkrete në sektorë si infrastruktura, industria mekanike apo ajo përpunuese.

“Kudo në rajon do t’ju shtronin tapetin e kuq për të investuar, pak a shumë taksat janë të njëjta, kosto e punës gjithashtu. Por Shqipëria ka diçka që e bën të veçantë për Italinë, këtu flitet gjuha juaj, kur thuhet Perëndim nënkuptohet Italia dhe shqiptarët janë rritur me Italinë. Kudo që të shkoni jeni investitorë të huaj, kurse këtu jeni në shtëpinë tuaj”, deklaroi Gaci.

Top Channel