“Po shkëpusim lidhjet e policisë me krimin”

04/05/2014 00:00

Ministri i Brendshem Saimir Tahiri deklaroi, gjatë një vizite pune në Kukës dhe Tropojë, se po këputen lidhjet e krimit me policinë. Goditjet ndaj njerëzve të inkriminuar në polici janë një dimension i veçantë, tha ai, për të siguruar rendin në vend.

“Një dimension më i veçantë i punës sonë për të garantuar më shumë siguri për qytetarët është padyshim lufta për të bërë më të pastër trupën e policisë dhe për ta ndarë në mënyrë decizive nga tendencat dhe lidhjet me botën e krimit”, tha ministri Saimir Tahiri.

Në lidhje me dosjet e vrasjes së deputetit Xhindi, të kryekomunarit Veseli, apo edhe të zhdukjes së vogëlushes Bleona Mata në Kukës, Tahiri tha se kanë rifilluar hetimet, por dosjet janë kompromentuar nga qeveria e mëparshme.

“Për detaje konkrete duhet të pyesni dhe duhet të prisni përfundimin e hetimeve. Janë dosje të cilat nuk janë të lehta, por të vështira. Janë dosje që deri diku janë kompromentuar rëndë nga ata që deri dje drejtonin Policinë e Shtetit. Por, ne jemi shumë të bindur se do ecim përpara me hetimet”, theksoi më tej ministri i Brendshëm Tahiri.

Ministri i Brendshëm ishte në takime me punonjësit e policisë së komisariateve të skajit më verior të vendit, në kuader të forcimit të luftës kundër kontrabandës, armëve dhe narkotikëve.

Top Channel