Panairi, punësohen 800 persona

04/05/2014 00:00

Javën e ardhshme plot 800 persona do të nisin një punë të re. Pas aplikimit në disa kompani dhe zhvillimit të disa intervistave, ata kanë mundur të fitojnë një vend pune si inxhinier ndërtimi, ekonomist, arkitekt, trajnues, apo edhe si punonjës në sektorë profesionalë.

Ministri i Mirëqenies sociale, Erion Veliaj, tha se Panairi i Punës, ku ishin ofruar 6200 vende pune, edhe pse nga opozita u cilësua si show mediatik, tregoi se funksionoi mjaft mirë.

“Nesër fillon përgatitja për panairet e tjera dhe për zyrat e punës. Do të vazhdojë me Zyrën e Punës në Korçë, Lezhë dhe Shkodër derisa projektin e zyrave të punës ta përfundojmë brenda vitit në të gjitha qarqet e Shqipërisë”, tha ministri Veliaj.

Gjatë këtyre pesë ditëve, ky panair është vizituar nga 34 mijë persona dhe rreth 13 mijë persona kanë aplikuar për punë. Veliaj tha se ministria që ai drejton po punon me shpejtësi për hapjen e zyrave të punës në të gjitha qarqet e vendit.

Top Channel