Promovimi i turizmit

03/05/2014 00:00

Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, partner i projektit Tempus për rrjetin e Trashëgimisë Kulturore dhe Menaxhimit të Turizmit në vendet e Ballkanit, organizoi në fundjavë aktivitetin turistik me temë “Itineraret, profesionet dhe e ardhmja”.

Gjatë tij janë prezantuar itinerare turistike të reja në territorin shqiptar, si dhe “Green Radio”, projekti i radios se parë dixhitale që do të mbështesë krijimin e reporterit turistik.

“Për herë të parë studentët e Universitetit të Durrësit marrin pjesë në këtë lloj aktiviteti, organizojnë ture nëpër itinerare të ndryshme shqiptare, njëkohësisht për herë të parë nxënësit e shkollave të mesme hotelerie të Beratit dhe Durrësit organizojnë Green Radio, një radoi turistike ku flitet për mbrojtjen e mjedisit në Durrës dhe Berat. Aktualisht janë në momentin e hedhjes online të radios dixhitale”, thotë Koordinatorja e aktivitetit, Brunilda Liçaj.

Grupe studentësh të Departamentit të Turizmit paraqitën itinerare të ndryshme turistike, ndërsa grupi fitues i përzgjedhur nga një juri pedagogësh do t’i bashkohet turit nëpër Shqipërinë arkeologjike që do të zhvillohet në datat 6-11 maj me pedagogë e studentë të huaj të fushës së turizmit.

Turi arkeologjik parashikon ndalesa nga Veriu në Jug të vendit. 

Top Channel