Mbetjet urbane që nga Kosova e deri në zonat e banuara përgjate Lumit Drin shkarkohen të gjitha në Liqenin e Fierzës.
Sasia e plastikës është aq e madhe sa ka veshur të gjitha brigjet e liqenit. Specialistët e mjedisit pohojnë se prurjet e lumit “Drini i Zi” nga Kosova sjellin gjithnjë e më shumë sasi plehrash si plastika, mbeturina spitalore dhe mbeturina industriale.
“Kjo është pjesa më e vogël e ndotjes, sepse pas ndotjes plastike, dihet vjen ndotja kimike, dhe pas ndotjes kimike vjen ndotja biologjike. Ndotja kimike është sasia e substancave kimike që derdhen, ose që janë derdhur nëpër zonat që nuk kanë qenë nën ujë, që janë përdorur si zona të paligjshme të derdhjes së inerteve dhe me ardhjen e ujit ato nisin e treten dhe dalin në sipërfaqe. Ndotja biologjike është fill pas ndotjes kimike dhe ndotje të mëdha sidomos në zonat ku bëhet shtimi i peshqëve të familjes së krapit”, thotë Arben Palushi, specialist i mjedisit.
Megjithëse autoritetet kosovare janë njoftuar për këtë situatë, cdo sezon veror ujërat sjellin sasi shumë të mëdha mbeturinash. Edhe para viteve ‘90, ka ekzistuar një problem i tillë, por së fundmi situata është rënduar së tepërmi.
Top Channel