Task Force heton Gjin Gjonin

02/05/2014 00:00

Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë njësisë Task Force në kryeqytet kallëzimin e para pak ditëve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë në të cilën kallëzohet gjyqtari, e po ashtu anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni, i denoncuar për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikim të dokumentave në bashkëpunim, pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe korrupsion.

Burimet i thanë Top Channel se pas verifikimeve paraprake në Prokurorinë e Përgjithshme, sic edhe është e parashikuar në legjislacion edhe prokurorët e njësisë Task Force do të kryejnë verifikimet e tyre për të vendosur më pas nisjen e hetimeve ndaj  gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni.

Nga ana tjetër një burim i Prokurorisë së Tiranës i tha Top Channel se në lidhje me një kallëzim të vetë gjyqtarit Gjin Gjoni, të bërë ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, prokurorët kanë vendosur mosfillimin e hetimeve. Ky vendim është marrë me argumentimin se nuk mund të investohet prokuroria në hetime nëse është konsumuar apo jo vepra penale e shpifjes, sic pretendon gjyqtari Gjin Gjoni, por për këtë pretendim gjyqtari Gjin Gjoni duhet t’i drejtohet gjykatës, sic edhe parashikohet në legjislacion.

Nga ana tjetër për kallëzimin e ILKDPI ku thuhet se për 18 episode dyshohet të jenë fshehur pasuri me vlerën e 1.8 milionë eurove, Ministria e Drejtesisë është vënë në dijeni nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj, por ende ky institucion nuk është shprehur nëse do të nisë apo jo inspektimet, e në mos kjo ministri nuk ka ende një qëndrim as nga KLD.

Për konkluzionet e  ILKDPI mbi dyshimet se gjyqtari ka fshehur pasuritë, por edhe se mund të ketë pastruar para janë vënë në dijeni edhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit.

Top Channel